Performanca artistike "Marigona nuk e qëndis më flamurin". Foto: Screenshot nga video-performanca

Marigona si simbol i gjakut, revolta artistike kundër vrasjeve të grave

Të kuqes së flamurit kombëtar i është shtuar sinonimi i gjakut të grave të vrara nga burrat në Kosovë, përmes një performance artistike revoltuese.

Artistja feministe, me emrin artistik Ms. Indefinite e vendosur para Gjykatës Themelore në Ferizaj në mënyrë kreative dhe kryengritëse ka ngritur zërin për drejtësi dhe barazi gjinore në shoqërinë kosovare.

Duke vënë në qendër Marigonën që ka qëndisur flamurin kombëtar dhe Marigona Osmanin e cila u vra në muajin gusht në Ferizaj, artistja përmes performancës “Marigona nuk e qëndis më flamurin” po synon të luftoj në formë artistike patriarkatin dhe femicidin. 

Vargjet e himnit kombëtar,  artistja i ka shndërruarr në një shpërfaqje të realitetit  të vrasjeve të grave në Kosovë, para institucionit të drejtësisë duke kërkuar që të ndaloj femicidi, të zhduket patriarkati dhe të zbardhet fati i viktimave.

“Nëpërmjet artit si krijim, shpreh kritikën shoqërore duke shfaq revoltën qytetare në krijimtarinë artistike”, tha artistja për KALLXO.com.

Kjo performancë hynë në kuadër të festivalit “FemArt”.

Më 22 gusht, 18 vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e Spitalit të Ferizajt nga të dyshuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Dardan Krivaqa, sipas dosjes së Prokurorisë, dyshohet se në mënyrë mizore e ka vrarë  të ndjerën Marigona Osmani. Prokuroria ka theksuar se viktima ishte keqtrajtuar mizorisht dy ditë radhazi deri në vdekje.

Bazuar në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari Krivaqa, për motive të ulëta me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën, derisa ajo ka vdekur. Ndërsa, i dyshuari Arbër Sejdiu dyshohet se ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit.