Foto: Marco Rubio / facebook
Marco Rubio, i preferuari i Trumpit për Sekretar Shteti, e njeh mirë Kosovën
Mediat më serioze amerikane kanë raportuar tashmë se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka ndarë mendjen që në krye të politikës së jashtme ta emërojë senatorin republikan të Floridës, Marco Rubio, i cili është i informuar me rrjedhat politike në Europë, përfshirë Ukrainën dhe Ballkanin.
Rubio, të cilin Reuters e ka përshkruar si politikan të linjës së ashpër të Trumpit, është përfshirë edhe në zhvillimet politike të Kosovës në raport me fqinjët dhe botën.
Takimi me ish-presidentin Thaçi
Në fundnëntorin e vitit 2018, Rubio ishte njëri prej senatorëve me të cilët ishte takuar ish-presidenti Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara, para se Kuvendi i Kosovës në mesdhjetor t’ia jepte FSK-së edhe ligjërisht kompetencat e ushtrisë. Përkrahja amerikane ishte vendimtare për projektligjin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.
Dhe Thaçi njoftonte në ueb-faqen e Presidencës për takimin që e kishte zhvilluar me Rubion për ndryshimin e statusit të FSK-së dhe për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë.
“Folëm për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për transformimin e FSK-së, mundësitë euroatlantike të Kosovës dhe utilizimin e momentumit të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që garanton anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB” – njoftonte Presidenca në kohën kur mediat ndërkombëtare po raportonin për mundësinë e arritjes së një ujdie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbimin e territoreve, megjithëse liderët e Kosovës mohonin çfarëdo mundësie të ndarjes së Kosovës në kohën kur Trump po ushtronte mandatin e parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Në të gjitha këto çështje, Kosova e ka mbështetjen e plotë të republikanëve dhe demokratëve” – njoftonte Presidenca e Kosovës.
Reuters ka raportuar të martën (12.11.2024) se Rubio gjatë viteve të kaluara ka pasur pikëpamje të serta për politikën e jashtme amerikane kundrejt armiqve të gjeopolitikës së Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën. Por Reuters shkruan se “gjatë viteve të fundit ai (Rubio) ka zbutur disa nga qëndrimet për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trumpit”.
Megjithëse Trump gjithmonë mund të ndryshojë mendje në minutën e fundit, duket se ka ndarë mendjen për zgjedhjen e shefit të diplomacisë së tij, ka raportuar Reuters, sikur se edhe media tjera si “New York Times” e CNN, derisa përfaqësuesit e Trumpit dhe Rubios nuk i kanë kthyer përgjigje agjencisë Reuters.
Mbështetja për njohjen e Kosovës nga Izraeli
Izraeli do ta njihte Kosovën në fillimshtatorin e vitit 2020 në kohën kur në krye të Qeverisë së Kosovës ishte kryeministri Avdullah Hoti. Dy shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021, derisa Kosova do ta hapte ambasadën e saj më 14 mars 2021 në Jerusalem, një veprim i ndryshëm krahasuar me shumicën e shteteve europiane që nuk i ishin përgjigjur thirrjes së Trumpit që t’i zhvendosnin përfaqësitë diplomatike në qytetin e Jerusalemit, që palestinezët e pretendojnë për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
“Senatori Rubio duartroket #Izraelin dhe #Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ky është një hap i rëndësishëm për dy vendet, por edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” – do të shkruante Rubio në platformën X më 2 shkurt 2021.
Senator Rubio applauds #Israel and #Kosovo for establishing diplomatic relations.
This is an important step for both countries as well as for international peace and security. 🇮🇱 🇽🇰
— Senator Marco Rubio (@SenMarcoRubio) February 2, 2021
Reuters ka shkruar të martën se administrata e re amerikane do të përballet me një botë më të paqëndrueshme se katër vjet më parë kur Trump do të humbte kundrejt Joe Bidenit. Kriza e Ukrainës do të jetë kryesorja në agjendën e Rubios kryediplomat.
Rubio, 53-vjeç, ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë, në vend që të fokusohet në rikthimin e të gjithë territorit që Rusia ia ka marrë në dekadën e fundit. Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në prill, thekson Reuters.
Nënshkrues i letrës kundër ndikimit rus
Ndërsa Rubio ishte kundër opsionit më izolues të politikës së jashtme amerikane, përzgjedhja e tij e mundshme megjithatë nënvizon një ndryshim të gjerë në pikëpamjet e politikës së jashtme republikane nën Trumpin, vlerëson Reuters. Rubio në marsin e vitit 2016 ishte tërhequr nga zgjedhjet paraprake të republikanëve pasi doli i dyti në Florida para se Trumpi ta merrte mbështetjen partiake në zgjedhjet që do t’i fitonte kundrejt demokrates Hillary Clinton.
“Unë nuk jam në anën e Rusisë – por fatkeqësisht realiteti i saj është se mënyra sesi do të përfundojë lufta në Ukrainë është me marrëveshje të negociuar”, ka deklaruar Rubio për NBC-në në shtatorin e sivjetmë, raporton Reuters.
Rubio ishte njëri prej nënshkruesve të letrës të grupit monitorues bipartizan të Senatit që më 21 mars 2022 do t’ia dërgonin presidentit Joe Biden në prag të udhëtimit të tij në Europë. Kongresistët i kërkonin Bidenit ta mbështeste fuqishëm Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
“Senatorët kërkuan gjithashtu që presidenti Biden ta shtyjë NATO-n ta fuqizojë praninë e saj në krahun e saj lindor për t’i siguruar të gjithë anëtarët e aleancës së NATO-s, të cilët janë të cenueshëm prej agresionit të Putinit”, shkruante në letër, duke kërkuar pastaj rritjen e vëmendjes edhe ndaj shqetësimeve të ngritura për përpjekjet e Rusisë për shtrirjen e ndikimit në Ballkan. “Pos kësaj, senatorët i kërkuan presidentit të ruajë fokusin ndaj Ballkanit, ku Rusia kaherë ka luajtur rol destabilizues ndaj vendeve aspiruese që dëshirojnë të anëtarësohen në NATO”.
Takimi me Osmanin
Gjatë vizitës së Vjosa Osmani në majin e vitit 2023 në Shtetet e Bashkuara, presidentja e Kosovës, në mesin e kongresistëve që do t’i takonte në margjinat e Kongresit, ishte edhe Marco Rubio.
“Në të gjitha takimet, presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftonte presidenca, duke shtuar se në të gjitha takimet, Osmani spikaste rëndësinë e mbështetjes amerikane për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike. Ajo kishte falënderuar Kongresin për kontributin e jashtëzakonshëm për “fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se një momentum i ri tashmë është arritur për zhvillime të reja në këtë drejtim”.