Maqedonia e Veriut shënon rritje të rasteve për 51 për qind

Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus për 51 për qind, thuhet në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik që i referohen të dhënave të periudhës 3-9 janar.

Varianti Omicron i koronavirusit është detektuar në 68 për qind të mostrave të analizuara në laboratorin i Virologjisë dhe Diagnostikimit Molekular të Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas të dhënave të këtij instituti, nga 3 deri më 9 janar, janë raportuar 946 raste të riinfektimeve me COVID-19, që është një rritje për 7 për qind krahasuar me një javë më parë.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se personat që nuk kanë asnjë simptomë edhe pse kanë dalë pozitivë me koronavirus, duhet të qëndrojnë në izolim për dhjetë ditë. Ndërkaq, të infektuarit që shfaqin simptoma duhet të izolohen për 21 ditë.

Por, personat e rinj që po dalin pozitivë, kryesisht nuk po kanë simptome.

Valon Ademi, një student nga Shkupi, që i ishte nënshtruar testit për COVID-19 për shkak se i duhej për të udhëtuar, tha se ishte i befasuar kur doli pozitiv, pasi nuk kishte asnjë simptomë.

“U befasova shumë që dola pozitiv, se di pse kam dal pozitiv, s’kam asnjë simptomë. Jam student, kam kontakt me njerëzit, por nuk di të them se si jam infektuar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, të martën, Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse ka diskutuar propozimin për shkurtimin e kohës së izolimit për personat që janë pozitivë, por që nuk kanë simptome. Megjithatë, ky komision tha se vendimi për këtë çështje do të merret në ditët në vijim.

Po ashtu, komisioni tha se është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndryshojë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, por vendimi, siç tha, do të varet nga situata epidemiologjike në vend.

Sipas të dhënave, deri më 10 janar në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 234,277 raste pozitive. Nga ky numër, 8,042 persona kanë vdekur, ndërkaq raste aktive janë mbi 10,000./REL