Facebook - Foto: REL/AFP

Maqedonia e Veriut: Rritje e gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale

Gjatë pandemisë së coronavirusit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje të dukshme përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës etnike në rrjetet sociale.

Gjuha e urrejtjes dhe fyerjet në rrjetet sociale ndaj personave të infektuar, si dukuri është bërë më e pranishme pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Të dhënat e Komitetit të Helsinkit bëjnë të ditur se është rritur për 100 për qind numri i denoncimeve për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, që kryesisht lidhen me mënyrën e menaxhimit të krizës së shkaktuar nga coronavirusi dhe gjendja e jashtëzakonshme.

Në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit në Shkup, theksohet se gjatë muajit maj janë regjistruar 105 denoncime për sa i përket gjuhës së urrejtjes së shprehur në mediat sociale, prej të cilave 65 kanë për bazë përkatësinë etnike dhe 29 raste janë mbi bazë të përkatësisë politike.

Sllavica Anastasova, këshilltare për çështje juridike në kuadër të Komitetit të Helsinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjuha e urrejtjes ka për bazë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe gjendjen e jashtëzakonshme.

“Sistemi që duhet t’i mbrojë qytetarët nga përdorimi i gjuhës urrejtës në masë të madhe nuk është funksional për t`iu kundërvu këtij fenomeni nga këtu buron dhe fenomeni i mosndëshkimit të shfaqjes së kësaj dukurie, përkatësisht të atyre që kryejnë këtë vepër penale”, thekson Anastasova.

Nga ana tjetër, Afrodita Musliu, drejtuese ekzekutive e organizatës joqeveritare NEXUS, për Radion Evropa e Lirë, praninë gjithnjë më të madhe të gjuhës së urrejtjes e ka cilësuar si sëmundje kronike të shoqërisë.

Ajo shton se mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes paraqet një burim të rrezikshëm për zhvillimin e aktiviteteve të dhunshme.

“Gjuha e urrejtjes këtu në Maqedoninë e Veriut, mbetet e pranishme si rrjedhojë e vetëdijes së ulët tek një pjese të qytetarëve, për pasojat që burojnë nga kjo dukuri”.

“Gjithashtu duhet theksuar se gjuha e urrejtjes përdoret edhe si armë në mungesë të mendimit kritik si dhe paaftësisë për argumentimin e çështjeve të caktuara”, thekson ajo.

Ndërkaq Besim Nebiu, aktivist për të drejtat e njeriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se pandemia e coronavirusit ka polarizuar dhe raportimin e kësaj dukurie nga ana e mediave.

“Pra, nevojitet një disiplinë nga ana e institucioneve shtetërore të cilat kanë ingirenca dhe janë kompetente për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Maqedonia e Veriut si shtet shumetnik, shumë onfesional nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që të këtë politikë aq liberale përkatësisht të ketë politika të mosndëshkimit të gjuhës së urrejtjes sepse kjo herë do kurdo mund të shkaktojë probleme të mëdha të parikuperueshme në jetën e përditshme në një shoqërie siç është këtu”, thotë Nebiu.

Edhe Asociacioni Qytetar CIVIL, ka kërkuar nga institucionet përkatëse veçanërisht nga dikasteri i policisë në Maqedoninë e Veriut dhe Prokuroria Publike të marrin masa urgjente sipas detyrave ligjore që ta parandalojnë dhe sanksionojnë këtë dukuri e cila ditë e më tepër po merr hov\REL.