Vaksina, ilustrim

Maqedonia e Veriut pranon dozën e dytë të vaksinave nga Serbia

Për dallim nga hera e parë, këtë herë doza e dytë e vaksinave nga Serbia arriti me veturë në Tabanoc.

Për ta ngarkuar kutinë e vaksinave, nga vetura në veturën tjetër u kujdesën dy minsatrat e Shëndetësisë.

Kjo është doza e dytë e vaksinave Pfizer si donacion nga Serbia. Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, tha se vaksinimi po vijon në mënyrë të suksesshme. Ai iu falënderua shtetit serb për vaksinat e dhuruara.

“Kjo sasi e vaksinave do të jetë e mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë punonjësit shëndetësorë në vendin tonë të cilët janë në grupin prioritar për imunizim, dhe kjo është për punonjësit shëndetësorë të cilët që nga fillimi i krizës kanë punuar me pacientë me covid-19″, tha Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Llonçar, tha që shteti i tij deri më tani ka siguruar më shumë se dy milion doza të vaksinës ndërsa ka katër llojet e vaksinës.

Sipas tij deri më tani në Serbi janë vaksinuar më shumë se një milion banorë dhe se qëllimi i tyre është që të vaksinohen më shumë se 2.5 milion banorë.

“Ne kemi sjellë 3510 doza vaksinash për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e cila së bashku me dërgesën e parë janë gjithsej 8190 doza. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që jemi në gjendje të ndihmojmë fqinjët dhe miqtë tanë. Unë kuptova nga Ministri Filipce që vaksinimi ka filluar. Ajo që duam është që ju të jeni të sigurt, qytetarët tuaj të sëmuren më pak dhe kur ju të keni një situatë më të mirë do të ketë edhe i gjithë rajoni”, potencoi Llonçar.

Vendi gjithashtu është në pritje të 200 mijë vaksinave tjera nga kompania kineze “Sinofarm”.

Sipas planit operativ të Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që çdo ditë të vaksinohen 2.500 qytetarë. Ndërkohë po bëhen marrëveshje edhe për sigurimin e vaksinës ruse “Sputnik V. Deri më tani në vend janë vaksinuar 1300 puntorët shëndetësorë, ndërsa gjatë ditës po vaksinohen diku 200 deri më 300./Rtv21