Maqedoni e Veriut - Presidenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë.

Sot gjatë ditës, presidenti maqedonas paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme përmes Facebook-ut.

““Për momentin kam informacion se propozimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme po përgatitet dhe duhet të dorëzohet deri në Kuvend. Nëse Kuvendi nuk mblidhet, kryetari i Kuvendit do ta dërgojë propozimin te unë pas çka do t’i drejtohem publikut”, kishte shkruar ai.

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha se Qeveria ka vendosur të kërkojë nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’u mbrojtur me masa më rigoroze nga përhapja e virusit korona, njofton Portalb.mk.

“Ballafaqohemi me situatë serioze dhe të jashtëzakonshme, duhet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme. Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Maqedonisë, tani dhe menjëherë. Qeveria e RVM-së nuk ka më dilema, në seancë vendosëm që masat e deritanishme i kanë dhënë rezultatet e pritura, por është e nevojshme të shtohen masat, të përforcohen dhe të radikalizohen duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që të parandalojmë eskalim të situatës ” tha mes tjerash ai.

Edhe pse Parlamenti është shpërbërë, tha ai, ka mundësi kushtetuese që presidenti i vendit, Stevo Pendarovski të vendosë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve.