Kontrollat e policisë në Maqedoninë e Veriut Foto: RTV21

Maqedoni e Veriut: Arrestohen 44 persona për mosrespektim të masës për ndalesë të lëvizjes

Gjatë 24 orëve të fundit  (27/28 mars)  në territorin e shtetit gjithsej 94 persona nuk e kanë respektuar masën për ndalesë së lëvizjes, me ç’rast nëpunësit policorë kanë arrestuar 44 persona, 10 persona kanë marrë vërejtje, ndërsa për të tjerët janë përgatitur procesverbale përkatëse dhe janë dërguar deri te PTHP kompetente, kumtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB-ja informojnë se gjatë ditës së djeshme 90 personave u janë lëshuar vendime për izolim, derisa 99 kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim.

“Gjithashtu, nga ana e nëpunësve policorë janë kryer kontrolle ndaj personave në izolim dhe vetizolim, me ç’rast është evidentuar se tre persona në vetizolim nuk e kanë respektuar këtë masë, gjegjësisht nuk janë gjetur në shtëpinë e tyre. Lidhur me kontrollimin e objekteve në 24 orët e fundit janë kryer gjithsej 253 kontrolle dhe në gjashtë raste është konstatuar mosrespektim të masave”, theksuan nga Ministria/Rtv21.