Maqedonci takon homologun kroat, e informon për gjendjen në Veri pas sulmit në kanalin e "Ibër-Lepencit"

Në kuadër të takimeve me homologët e vendeve partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, më 16.12.2024 ka pritur në vizitë ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anushiq.

Maqedonci e ka informuar homologun e tij kroat për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në fshatin Varagë, të komunës së Zubin Potokut.

Ndërsa, thuhet se takimi u zhvillua në frymën e miqësisë që ekziston mes dy vendeve në përgjithësi dhe marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes e sigurisë, në veçanti.

“Gjatë këtij takimi, po ashtu, u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për të dy vendet – përfshirë edukimin e trajnimin e personelit ushtarak, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta. Republika e Kroacisë është ndër partnerët strategjikë të Kosovës, ndërsa marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve kanë bazamentin në histori, vlera dhe një të ardhme të përbashkët.” – thuhet në njoftim.

Sulmi, që kishte dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër -Lepencit”, ka ndodhur më 29.11.2024 dhe ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, në Komunën e Zubin Potokut.

Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit – nga 15 deri në 20 kilogramë – i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka dënuar, po ashtu, shpërthimin në Zubin Potok.