Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.

Pritja u bë nga togu ceremonial i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e fillimisht, dy ministrat patën një takim pa praninë e mediave, e më pas u deklaruan për media.

Vizita e Vengut është e para zyrtare jashtë Shqipërisë që nga marrja e mandatit.

Maqedonci tha se ka nderin të pres në vizitën e parë jashtë vendit homologun e tij nga Shqipëria.

“Ndër vite kemi raporte të shkëlqyera në aspektin e mbrojtjes. Vlerësuam se ka mundësi për thellim të këtij bashkëpunimi, në trajnime, operacione e edhe në industrinë ushtarake” – tha ministri.

Tutje ai tha se nga objekti i Ministrisë së Mbrojtjes ia bën me dije të gjithë akterëve se Kosova me Shqipërinë bashkëpunojnë në vazhdimësi për t`u përballur me çdo sfidë dhe rrezik që synon të cenoj trashëgimin, vlerat dhe sigurinë e përbashkët të dy vendeve.

Në anën tjetër, ministri Vengu u shpreh i kënaqur që është duke kryer vizitë sot në Kosovë.

Ai tha se gjatë takimit diskutuan e u dakorduan për të bashkëpunuar në disa sfera.

“Diskutuam për çminimin e disa zonave që kanë mbetur pa u trajtuar, është zonë me vëmendje turistike dhe duhet të sigurohemi që nuk ka rrezik” – tha ai.

Tutje ministri i Mbrojtës në Shqipëri tha se dy vendet janë duke synuar që të krijojnë grupe të përbashkëta të mbrojtës civile, sidomos për zonat malore.