Foto: Ministria e Mbrojtjes së Kosovës

Maqedonci në Turqi: Adresat më të shpeshta të Kosovës për blerje të armatimit do të jenë prodhuesit turq

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë të Mbrojtjes së Turqisë si dhe me prodhues të sistemeve ushtarake.

Me disa prej tyre, siç njofton MB-ja, janë prokuruar sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake.

Sipas njoftimit të Ministrisë, Maqedonci u informua me inovacionet e fundit në fushën e industrisë së mbrojtjes së hapësirës ajrore.

“Me këtë rast, ministri theksoi se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Republika e Kosovës, sepse Kosova dhe Turqia janë aleatë dhe partnerë strategjikë, për mbrojtje e siguri dhe për qëndrueshmëri e paqe” – njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ministri Maqedonci është takuar edhe me homologun e tij turk, Jashar Gyler, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e mjekësisë ushtarake.

Ai u mirëprit edhe nga Haluk Bayraktar, drejtori ekzekutiv i kompanisë turke “Baykar”, prodhuese e dronëve ushtarakë “Bayraktar”.