Maqedonci në Gjermani: Kosova ka vendosur të dhurojë një flotë automjetesh për Ukrainën
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se gjatë mbledhjes së 24 të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës, në Raimstein të Gjermanisë, ka prezantuar pakon e re të ndihmës për Ukrainën të ofruar nga Republika e Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ai ka bërë të ditur se këtë muaj Kosova ka vendosur të dhurojë një flotë automjetesh që do t’i dorëzohen Ukrainës.
“Këtë muaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të dhurojë një flotë automjetesh që do t’i dorëzohen Ukrainës. Ky akt mbështetjeje është një shenjë e pjesëmarrjes sonë aktive në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Ndihma e Kosovës për Ukrainën, ndonëse më e vogël krahasuar me disa nga donacionet tuaja, dëshmon vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës për të ndihmuar popullin ukrainas në këto kohë të vështira”- ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.
Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka dërguar dy pako të mëdha ndihmash, të përbëra nga pajisje, mjete të blinduara dhe municione.
“Përveç kësaj, së bashku me EUCOM, po trajnojmë qindra ukrainas në Kosovë për operacione të deminimit, të cilat janë të një rëndësie të madhe jo vetëm për tani por edhe për të ardhmen, dhe gjithashtu po vazhdojmë mbështetjen tonë për trajnimin e njësive ukrainase përkrah aleatëve tanë britanikë në kuadër të Operacionit Interflex”- ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kosova si anëtare e Koalicionit të Deminimit do të vazhdojë mbështetjen e këtij partneriteti me kapacitete të ndryshme.
Ministri Maqedonci premtoi se ndihma e Kosovës do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare të Ukrainës dhe popullit të saj.
Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po marrin pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që po zhvillohet sot (06.09.2024) në Raimstein të Gjermanisë.
Takimi i sotëm i Grupit të Kontaktit për Ukrasinëqn u drejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Në këtë takim mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy,
Fokusi i takimit ishte vijimi i ofrimit të asistencës ushtarake në armatime, pajisje dhe trajnime për forcat e armatosura të Ukrainës nga vendet e këtij koalicioni.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës..