Foto: ZKM
Maqedonci: Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë është tregues i qasjes agresive të Serbisë në raport me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar lidhur me komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë për lëvizjen e trupave të saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, më saktësisht në territorin e komunës së Kamenicës, më 12.10.2024.
Maqedonci ka thënë se në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrueshme.
“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”- ka thënë Maqedonci.
Ai ka thënë se militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.
Por, Kosova sipas tij, do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit.
“Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”- ka shkruar ai në Facebook.
Forcat e Armatosura të Serbisë kanë reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili më 12.10.2024 tha se ushtria serbe ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me shtetin kosovar, në territorin e komunës së Kamenicës.
Sipas reagimit të forcave serbe, në atë zonë kanë qenë pjesëtarët e tyre për parandalimin e kontrabandës me drurë që po zhvillohej aty.
Ky institucion serb ka akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
Ushtria serbe thotë se afër kufirit shkuan për të parandaluar kontrabandën me drurë
Në një reagim në Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se trupat ushtarake serbe u larguan pasi e vërejtën se institucionet e Kosovës po i përcjellin lëvizjet e tyre.
“Serbia sot (e shtunë v.j.) ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e Komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre….Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”, ka shkruar Kurti.