Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në ceremoninë e betimit të 20 kadetëve të rinj në FSK. Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Maqedonci: Gjyshi i njërit prej 20 kadetëve që u betuan më tha: “Zemra mal mu ka ba”

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 20 kadetë të rinj filluan sot rrugëtimin e tyre në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Për ministrin Maqedonci ishte një emocion i veçantë teksa përcolli të rinjtë e Kosovës me vullnet e përkushtim të hekurt që betohen t’i shërbejnë atdheut. 

“Dhe nuk kam se si ta fsheh krenarinë që ndiej për ta në secilin hap të tyre. BETOHEM, tingëllon ndryshe kur përçon vendosshmëri përveçse individuale dhe grupore” – ka shkruar Maqedonci në Facebook më 20.09.2024.

Maqedonci ka ndarë një moment të veçantë nga ceremonia e betimit të 20 kadetëve për shërbim në FSK.

“Veçanërisht në ceremoninë e sotme më ngeli në mendje gjyshi i njërit prej kadetëve që teksa ia urova betimin e nipit më tha: “Zemra mal mu ka ba. Për atdhe sot isha vesh edhe unë si ushtar por mosha…”” – ka thënë Maqedonci.

Sipas ministrit Maqedonci, amanetin e dëshmorëve të Kosovës për ushtri profesionale e kanë përmbushur, tash u mbetet që ta forcojnë atë.

Tutje, Maqedonci ka ndarë fjalimin e plotë që e mbajti në ceremoninë e betimit të 20 kadetëve për FSK-në.

Fjalimi i plotë i ministrit Ejup Maqedonci në ceremoninë e betimit të 20 kadetëve në FSK:

“I nderuar komandant i FSK-së generallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuar Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral Jeton Dreshaj, të nderuar gjeneral të FSK-së,

Të nderuar oficerë,

Të dashur kadetë,

Të nderuar të pranishëm,

Sot po filloni një etapë të rëndësishme në jetën tuaj, jo të lehtë por tejet të rëndësishme për ju dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtrisë.

Katër vitet e rradhës do të ndërtojnë bazamentit tuaj jetësor në aspektin fizik e mendor. Do të keni rastin që që nga eprorët tuaj të mësoni teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do të udhëheqni, andaj jeni të vëmendshëm!

Zonat e luftimit shpesh kërkojnë marrjen e vendime të shpejta por të mirëmenduara në aspektin strategjik, e kur nuk do të keni faktorin kohë në favorin tuaj do të jetë përvoja që do ju dal në ndihmë. Prandaj përfitoni nga përvoja e eprorëve tuaj për të ndërtuar aftësitë e nevojshme për të udhëhequr dhe për të fituar besimin në të ardhmen të ekipes që do e udhëheqni si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit.

Të zgjohesh çdo mëngjes me këtë mision në mendje e zemër është vërtetë fisnike. Është vërtetë ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja. Dhe është e vështirë, por është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni me jetën tuaj. Andaj ju përgëzoj për vendimin që keni marrë të shërbeni nën emblemën e uniformës së Forcës së Sigurisë së Kosovës ngase nuk është e lehtë pesha e uniformës që bartni, por pikërisht përballë vështirësive vlerësohet madhështia e njeriut.

Nuk ka asgjë që vlerësoj më shumë sesa betimin tuaj për t’iu përkushtuar atdheut.

Nuk ka asgjë që më bën më tepër krenar se të jem me ju këtu sot, e të shoh Ushtrinë e Republikës së Kosovës teksa rritet dhe zhvillohet.

Në këtë kohë sfidash për sigurinë globale dhe vendore, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është esenciale.

Si Ministër i Mbrojtjes së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me përkrahjen e Qeverisë jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për investimin në ngritjen e kapaciteve profesionale të ushtarakëve krahas investimit në armatime. Ju siguroj që do të keni gjithmonë përkrahjen time dhe të Qeverisë.

Suksese dhe qofshi gjithmonë faqebardhë!”