Foto: Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës / facebook

Maqedonci: Bazat ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën paraqesin kërcënim për stabilitetin e vendit dhe rajonit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur më 28.02.2024 në takim anëtarët e Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, të udhëhequr nga kryetarja e këtij Komiteti, Marie Agnes Strack Zimmermann, të cilët i ka njoftuar mbi situatën e sigurisë në vend.

Sipas njoftimit, Maqedonci ka theksuar kërcënimin që paraqesin bazat ushtarake të Serbisë, të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën, për stabilitetin e vendit dhe rajonit.

“Ministri Maqedonci njoftoi të pranishmit mbi situatën e sigurisë në vend. Veçanërisht, ministri theksoi kërcënimin që paraqesin bazat ushtarake të Serbisë, të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën, për stabilitetin e vendit dhe rajonit, duke pohuar që duhet të ishte shqetësim për gjithë faktorin ndërkombëtar”- thuhet në njoftim.

Ndërsa tutje ai ka informuar anëtarët e këtij Komiteti për kapacitetet aktuale që FSK ka për të garantuar mbrojtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës dhe jetës së qytetarëve.

“Synimi ynë si shtet është anëtarësimi në NATO, sipas standardeve të së cilës aleancë po vazhdohet me implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtrisë tonë”- ka thënë ai.

Në njoftim thuhet se ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman për Kosovën, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si dhe angazhimin e këtij Komiteti në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajnë interesa të përbashkëta.