MAPL do t’u ndajë komunave mbi 4.3 milionë euro

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të ndajë mbi 4.3 milionë euro për komunat e Kosovës për projekte kapitale në kuadër të Grantit të Performancës Komunale.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media që është thënë se deri tek kjo ndarje ka ardhur nga një takim i një Komisioni Teknik.

“Pas aprovimit në parim të raportit të përformancës të gjitha Komunat do të njoftohen me rezultatet e tyre, ndaj të cilave mund të parashtrojnë ankesë brenda 7 ditëve. Me përmbylljen e këtij procesi, do të nënshkruhen marrëveshjet e Mirëkuptimit me Komunat përfituese në vlerë të përgjithshme 4,350,000. Euro, për projekte kapitale në dobi të qytetarëve”, është thënë në njoftim.

Pjesë e takimit të Komisionit të Grantit të Performancës Komunale kanë qënë përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Agjencisë Suedeze, Ambasadës Norvegjeze, Zyrës Kombëtare të Auditimit, BIRN dhe INPO.

Takimi i Komisionit të Grantit është hapur dhe kryesuar nga zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MAPL-së Trim Berisha, ndërkaq në fjalën hyrëse u adresua Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili theksoi se ndarja e grantit për komunat është e një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh nevojat e komunave si dhe  ngritjen e performacës komunale në ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe më cilësore  për qytetarët.

Gjithashtu, Ministri Krasniqi potencoi se tani është koha adekuate që të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin me donatorët dhe akterët e përfshirë.

“Mbështetja e MAPL-së do të jetë e vazhdueshme dhe në pajtueshmëri me donatorët”, ka thënë ai.

Kurse, drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Katharina Stocker që theksoi se ky takim dëshmon përkushtimin e përbashkët të të gjitha palëve me qëllim që të kemi një proces transparent dhe të qëndrueshëm.