MAPL anulon tenderin për zhvillimin platformës ‘E-Komunat’

Më 5 shtator të këtij viti, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), në platformën elektronike për prokurim publik “e-prokurimi”, hapi tender për zhvillimin e platformës “e-komunat”, mirëpo i njëjti është anuluar.

Sipas njoftimit, kjo procedurë kishte të bënte me përzgjedhjen e një kompanie e cila do ta zhvillonte platformën.

Për tenderin në fjalë, ministria kishte parashikuar kontratë në vlerë deri 38,000 euro, me kohëzgjatje të kontratës 24 muaj.

Për këtë tender ishte përdor procedurë e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më ulët.

Data 26 shtator 2022, ishte përcaktuar edhe afati deri kur kompanitë e interesuara mund të ofertonin me këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas dosjes së tenderit, kjo platformë do të jetë në shërbim të qytetarëve për rritur pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje në nivelin lokal, gjithashtu do të jetë në shërbim të vet komunave për digjitalizimin e shërbimeve komunale duke rritur efikasitetin e këtyre shërbimeve karshi qytetarëve.

Mirëpo ky aktivitet u anulua.

Në vendimin e autoriteti kontraktues thuhet se “pas rishqyrtimit të specifikimit teknik, dhe kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të këtij aktiviteti të prokurimit, është parë e nevojshme anulimi i aktivitetit të prokurimit për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”.