Manuel Sarrazin. Foto: KALLXO.com

Manuel Sarrazin: Premtimi për zgjerimin e BE-së është i vlefshëm

Në intervistë për DW, i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, paralajmëron për rreziqet që vijnë nëse nuk ka progres në çështjen e zgjerimit.

Deutsche Welle: Z. Sarrazin, Komisioni i BE-së vendosi në një kohë rekord për statusin kandidat për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Si e komentoni këtë rekomandim në lidhje me Ballkanin Perëndimor?

Manuel Sarrazin: Nga këndvështrimi im, nëse komisioni i BE-së dhe i Këshilli i Bashkimit Evropian i bën të besueshme politikat e zgjerimit, kjo është e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse flet për rëndësinë gjeostrategjike e zgjerimit të BE-së  dhe se procesi i zgjerimit vijon.

Deutsche Welle: Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten jashtë. Çfarë duhet t’u ofrohet këtyre dy shteteve?

Manuel Sarrazin: Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres.

Deutsche Welle: Serbia vazhdon të importojë gaz dhe drithë nga Rusia dhe ta dërgojë atë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu në vendet e BE-së. A mos duhet më shumë kondicionim në drejtim të Serbisë?

Manuel Sarrazin: Ne importojmë vetë gaz. Kështu që duhet pasur kujdes, që t’ia bëjmë të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se presim që ai të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por gjithashtu të mos i japim mundësinë të thotë se po i shuajmë dritat në vendin e tij, sepse edhe ne kujdesemi që vendimet që marrim të jenë ekonomikisht të arsyeshme.

Deutsche Welle: Serbia është në qendër të dezinformatave ruse dhe luftës hibride që po përhapet në të gjithë rajonin. Çfarë sugjeroni si masa për të frenuar këtë ndikim?

Manuel Sarrazin: Masa më e rëndësishme kundër kësaj është besueshmëria e premtimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet.

Deutsche Welle: Duket se nuk do të ketë progres as me çeljen e negociatave  me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.  A nuk duhet të ndahen dy kandidatët dhe të fillojnë negociatat me Shqipërinë?

Manuel Sarrazin: Ju sapo folët për dezinformimin rus. Maqedonia e Veriut do të jetë një objektiv kyç i dezinformatave ruse, por jo vetëm, gjë që për ne mund të jetë krah strategjikisht i hapur ndaj ndikimeve. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin që më në fund të çelen negociatat me të dyja vendet.

Deutsche Welle: Duke qenë se procesi i zgjerimit po ecën me shumë ngadalë, po zhvendoset gjithnjë e më në plan të parë ideja e bashkëpunimit rajonal të quajtur Ballkani i Hapur. Çfarë mendoni për këtë koncept?

Manuel Sarrazin: Në thelb, unë jam shumë skeptik për Ballkanin e Hapur. Duhet të jetë e qartë se iniciativat në rajon së pari duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to. Dhe nga ana tjetër, është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele. Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE.

Deutsche Welle: Një tjetër format është Procesi i Berlinit, i cili nuk ka pasur asnjë sukses të madh vitet e fundit. Çfarë ofroni konkretisht që ai të bëhet një format tërheqës për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Manuel Sarrazin: Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë një format tërheqës. Ne kemi arritur shumë, për shembull me zyrën e të rinjve RYCO. Ne kemi katër marrëveshje në tryezë që do të bënin një hap të madh drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët rajonal. Ne ofrojmë rifillimin e punës për të arritur këto synime të vlefshme për të gjithë, me fuqi të reja dhe me tema të reja. Qeveria e re federale është e vendosur të përkujdeset në mënyrë intensive për rajonin gjatë gjithë mandatit të saj. Do të kemi një angazhim afatgjatë dhe strategjik.

Deutsche Welle: Gjermania synon të marrë pjesë sërish në misionin EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë pas një pauze dhjetëvjeçare. Çfarë sinjali lidhni me këtë?

Manuel Sarrazin: Ishte shumë e rëndësishme për ne si qeveri federale që ia propozuam Bundestagut për ta bërë të qartë se Gjermania është e gatshme të angazhohet në politikat e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë. E dyta është se është e rëndësishme për ne që zgjedhjet në tetor 2022 të zhvillohen në një mjedis të sigurt dhe të besueshëm.

Deutsche Welle: Katër muaj më parë ju morët detyrën e Të Ngarkuarit të Qeverisë Federale për Ballkanin Perëndimor. A i shihni sot gjërat pak më ndryshe nga koha kur keni filluar mandatin?

Manuel Sarrazin: Do të kisha dashur që përvoja e tmerrshme e luftës ruse të kishte ndikuar që më shumë aktorë kyçë në rajon t’i ndryshonin, dhe e jo t’i përforconin sjelljet e mëparshme. Duhet të dimë se “miqtë” tanë në Kremlin e dinë mirë se në rajon mund të nxiten shumë gjëra negative. Prandaj do t’u kërkoja të gjithëve që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi sa më shumë bashkëpunim dhe deklarata pozitive, përpara se Kremlini të përpiqet të përfitojë nga grindjet tona, nga mungesa e unitetit mes nesh dhe brenda rajonit.

Manuel Sarrazin, 40 vjeç, ka qenë deputet i Bundestagut për Bündnis 90/Die Grünen nga viti 2008 deri në vitin 2021 dhe është President i Shoqërisë së Evropës Juglindore, institucioni më i rëndësishëm i konsultimit akademik dhe politik për çështjet e Ballkanit në Gjermani. Që nga 1 marsi 2022, ai është përfaqësuesi special i Qeverisë Federale Gjermane për Ballkanin Perëndimor./DW