ILUSTRIM - Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t'iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

Mantelbardhët e kontraktuar nga 'Caritas' në Gjilan nuk marrin pagën stimuluese

Pako Emergjente për punëtorët shëndetësorë është transferuar në fazën e dytë, por në këtë listë nuk janë përfshirë edhe mantelbardhët të cilët punojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan në kuadër të Organizatës Joqeveritare ‘Caritas’.

Punëtorët e ‘Caritas-it’ në Gjilan kanë raportuar në KALLXO.com ku kanë treguar se paga stimuluese nuk u është transferuar edhe atyre njësoj sikurse kolegëve të tjerë nëpër institucionet shëndetësore.

“Nga marsi ne kemi punuar edhe në kufij, mandej na kanë kthyer te pacientët me COVID. Kemi punuar 12 orë e tash nuk i kemi pagat (stimuluese), nuk e diskuton askush pse nuk na takon pako emergjente, pse jemi kaq të shkelur edhe nga komuna edhe nga të gjithë”, shprehet për KALLXO.com punëtorja e Caritasit në Gjilan e cila dëshiroi të mbesë anonim.

Ajo thotë se kur kanë kërkuar nga administrata në QKMF për të sqaruar pse nuk janë transferuar pagat stimuluese për ta, ajo trego se u kanë thënë se nuk janë punëtorë të rregullt.

“Vetëm neve që punojmë me Caritas nuk na ka dalë paga, jemi diku 26 ose 30 punëtorë të Caritasit. Kur kemi bërë kërkesë tek administrata na kanë thënë nuk jeni punëtorë të rregullt, por kur kemi qenë të rrezikuar (nga infeksionit me COVID-19) na kanë thënë se ju jeni punëtorë me Caritas”, thotë tutje ajo.

Të njejtën ankesë e ka edhe kolegu i saj, i cili thotë se nuk e kanë marrë pagën stimuluese as në fazën e parë por as në të dytën.

“Jo nuk e kemi marrë (pagën stimuluese) as në fazën e parë as në të dytën. Kemi punuar edhe në kufi në këtë kohë të pandemisë. Ne merremi me intervenimet e pacientëve”, tha ai për KALLXO.com

Në anën tjetër drejtori i shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, përgjegjësinë për mosmarrjen e pakos emergjente ia hedh institucioneve qendrore.

Drejtori tregon se në fazën e parë e kanë marrë pagën stimuluese, ndërsa për mosmarrjen e pagës në fazën e dytë përgjegjëse është Qeveria.

“Për pagat shtesë më vendimin e parë të qeverisë Caritasi i ka bërë kërkesë Ministrisë dhe janë pagur për fazën e parë, në këtë fazë me kontaktet që i kam pas me Caritasin kanë thënë se ministria me vendim të Qeverisë nuk kanë pas mundësi me apliku për me i pas këto shtesa, do të thotë është përgjegjësi e Qeverisë për kompensim të tyre”, u shpreh Xhemaili për KALLXO.com.

Xhemaili thotë se pagat mujore mund të vonohen 3 ditë ose 1 javë por jo më shumë.

Menaxheri i OJQ ‘Caritas’, Pal Baftiaj, tha se nuk nuk mund të flasë në lidhje me këtë për arsye shëndetësore.

“Nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore, nuk mund të ju përgjigjem. Shpresoj në mirëkuptim”, u shpreh Baftiaj.

Në lidhje me këtë problem KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

KALLXO.com pati raportuar edhe për disa parregullsi edhe për punëtorët shëndetësorë të kësaj organizate në Ferizaj, të cilët patën raportuar për vonesa të pagës mujore.