‘Mantel bardhëve të Caritasit’ në Ferizaj u zvarriten rrogat edhe në kohën e pandemisë
Disa ditë më parë në adresën e KALLXO.com janë ankuar disa punëtorë të personelit shëndetësorë të Caritasit në Ferizaj, për zvarritjen që u bëhet si për kontrata ashtu edhe për rroga.
Ata thonë se që nga 1 tetori vazhdimisht u kanë premtuar që kanë kontrata, por ato kontrata nuk janë nënshkruar deri një muaj më parë.
Pas 6 muajve kur e kanë marrë rrogën ata thonë se nuk e kanë marrë të plotë, pasi që rroga e tyre është 350 euro për shkak të pagesave tatimore dhe 5% që punëtorët paguajnë për punëdhënësin marrin 319 euro, por atyre u kanë dalur vetëm 304.53 euro.
Tutje ankuesit thonë, se tani kanë 3 rroga të vitit 2020 të patransferuara.
“6 muaj nuk kemi marrë paga, i kemi pasur kontratat por na patën skaduar. Çdo herë kemi pasur këto probleme, çdo herë me pagesa kemi vonesa, por kësaj here e patën tepruar shumë. Pas 6 muajve na kanë transferuar një pagë dhe ajo pagë ka qenë 304.53 euro”, thotë njëri nga punëtorët i cili për shkak të sigurisë ka dashur të mbetet anonim.
Tutje, ai tregon se në kontratë thuhet se 10% të ndalesave janë për tatime ndërsa 5% për punëdhënësin.
“Në kontratë na shkruan që 10 përqind i kemi ndalesat, plus 5 përqind për punëdhënësin imagjinojeni ne me pagu punëdhënësin, kjo e ka ulë pagën tonë nga 319 euro në 304 euro, ne u pajtuam edhe me këtë edhe pse nuk jemi të detyruar me pagu 5 përqind punëdhënësin, tash për dy paga është dashur të dalin 608 euro ose 610, por neve na kanë dalë vetëm 592 euro”, ka thënë ankuesi për KALLXO.com.
Ndërsa, në anën tjetër koordinatori Xhevdet Haxhidema thotë se Caritasi nuk i ndal as 10% nga paga e punëtorëve.
“Jo, Caritasi as 10% nuk i ka, më pak ka. Nuk po e di saktë sa i ka shkruar në kontratë”, thotë ai.
Sa i përket kontratave të punëtorëve Haxhidema thotë se punëtorët kanë kontrata dhe se kanë pasur disa arsye që u janë vonuar rrogat punëtorëve, por se tashmë nuk i kanë ato probleme.
“Unë jam koordinator, por aq sa jam në dijeni të gjithë punëtorët i kanë marrë pagesat saktësisht aq sa është dashtë me i marrë. Prej tetorit (2019) ka fillu implementimi dhe të gjithë i kanë kontratat. Po ka pasur vonesa të pagave për arsye nga më të ndryshmet, por tash është në rregull nuk kemi probleme me paga”, tha Haxhidema.
Tutje, kur KALLXO.com insistoi të di arsyen pse ka pasur vonesa të pagave ai heziton të përgjigjet dhe thotë se ka pacientë.
“Jam në institucionin tim privat kam palë kam pacientë tash, dhe të lutem shumë…”, u përgjigj ai.
Udhëheqësi i Caritasit Pal Baftiu, thotë se transferi i parave për paga të punëtorëve bëhet nga komuna e Ferizajt, dhe se pagat janë dhënë aq sa u takon sipas ligjit.
“Komuna është vonuar në transfer për një rrogë. Nëse dikush i merr 500 euro paguan më shumë kontribute, nëse dikush 300 paguan më pak. Aq sa i takon me ligj ne i kemi dhënë pagën”, tregon ai.
Tutje, Baftiu thotë se disa punëtorë tashmë nga 1 janari janë punëtorë të Caritasit, më herët ai pretendon se këta punëtorë kanë punuar me kontratë mbi vepër dhe në forma të ndryshme me komunën, dhe se tani përgjegjësi për ta kanë deri më 31 maj.
“Jo, ata më herët kanë punu me kontratë mbi vepër dhe në mënyra të ndryshme me komunë, unë nuk e di. Tash disa punëtorë punojnë me neve ata tashmë i kanë nënshkruar kontratat. Kontratat i kemi nënshkruar para një muaji, nga 1 janari ata punojnë me neve. Tash jemi duke i bërë kalkulimin e orëve të punës, sa orë kanë punu me neve dhe jemi duke i pagu për kohën që ne kemi përgjegjësi për ta, përgjegjësi për ta ne kemi deri më 31 maj”, tha Baftiu.
Sa i përket uljes së pagave ai thotë se nuk ka logjik të ulin pagat në këtë kohë, por kanë kredi për atë arsye janë ndalë një shumë e parave.
“Po, ne jemi t`u i dhënë pagat gjithë punëtorëve që kanë punu, nuk kemi bërë ulje të pagave, është shumë e palogjikshme nëse ne i ulim pagat në këtë kohë, ka obligime në banka njerëzit kanë kredi. As një cent nuk iu ndalet punëtorëve ajo kalkulohet varësisht prej ditëve të punës prej muajve të punës, janë duke u bërë kalkulimet janë duke punuar pa ndërprerë asnjë ulje nuk është bërë për asnjë punëtorë”, u shpreh Baftiu.
Ndërsa, Albion Sherifi zëdhënësi për media në komunën e Ferizaj, thotë se pagesat i kanë bartë në xhirollogari të Caritasit dhe mandej ata i bëjnë pagesat
“Ne kemi kontratë me Caritas-in ne ua kemi kryer të gjitha shërbimet që i kemi pasur me kontratë në kuptimin e pagesave i kemi bartë në xhirollogarinë e tyre ata mandej i bëjnë pagesat”, tha Sherifi.
KALLXO.com ka dërguar pyetje kryetarit Agim Aliu në lidhje me deklaratën e Baftiut, por i njëjti nuk ka pasur qasje.
Tutje, KALLXO.com ka siguruar edhe bisedat që grupi ka bërë në Viber, ku shihet se punëtorët kanë kërkuar të drejtën e tyre për rroga.