Graçanica (Ilustrim)

Manifestim fetar në Graçanicë, nesër ndalohet qarkullimi përkohësisht në rrugën Prishtinë-Gjilan

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të një manifestimi fetar, në Graçanicë, nesër në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve duke filluar nga ora 09:30 deri në përfundim të manifestimit i cili është paraparë të zgjasë 45 minuta.

Tutje, nga policia potencohet se ndalimi i qarkullimit do të bëhet me vendim të komunës, për krijimin e hapësirës për mbarëvajtje të manifestimit.

Policia thekson se duke pasur parasysh që magjistralja në fjalë shfrytëzohet nga një numër i madh automjetesh si dhe për faktin se paraqet arterien kryesore të lidhjes ndërqytetëse në mes kryeqytetit dhe qyteteve dhe fshatrave që përshkohen nga kjo rrugë, të gjithë shfrytëzuesit e kësaj magjistraleje të shfrytëzojnë rrugët alternative brenda kohës së kufizimeve, në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë dhe të ketë rrjedhë normale të zhvillimit të komunikacionit.