Foto: Facebook/ Manifesta 14.

'Manifesta', debat i hapur me tre kryetarë të komunave për rimarrjen e hapësirave publike

Festivali “Manifesta 14”, e cila sot është hapur në Prishtinë, së bashku me Rrjetin për Gazetari Hulumtuese (BIRN), do të organizojnë një panel diskutimi me temën e rimarrjes së hapësirës publike urbane.

Ky debat i hapur do të zhvillohet në hapësirat e hotelit “Grand”, nga ora 16:30 deri në orën 18:00.

Panelistë do të jenë: Përparim Rama – kryetar i Prishtinës; Femke Halsema – kryetare e qytetit të Amsterdamit; Leoluca Orlando – ish-kryetar i bashkisë së qytetit të Palermos.

Panelin me tre kryetarët e komunave do ta udhëheqë gazetarja Jeta Xharra. Në debat do të diskutohet me tre kryetarë komunash të cilët kanë trajtuar sfidat kritike në sferën publike.

“Aktivizimi dhe rikuperimi i hapësirave publike urbane është temë kryesore e tri edicioneve të fundit të Manifesta-s, duke filluar nga Manifesta 12 në Palermo, e ndjekur nga Manifesta 13 në Marsejë dhe Manifesta 14 në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Festivali “Manifesta”, i cili do të mbahet në Prishtinë nga sot deri më 30 tetor, pritet të përfshijë rreth 25 hapësira/objekte në kryeqytet.