Mandati i Xhaçkës, opozita çon në Kushtetuese vendimin e parlamentit

Në Shqipëri, opozita ju drejtua sot Gjykatës Kushtetutese për të kundërshtuar vendimin e marrë nga parlamenti, pak pas mesnatës së mbrëmshme, i cili pengon dërgimin në këtë Gjykatë të çështjes së vlefshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, njëkohësisht ministre e Jashtme e vendit

Në Gjykatën Kushtetuese u depozituan sot dy kërkesa, njëra nga deputetët demokratë që njohin si drejtues të grupit parlamentar zotin Enkelejd Alibeaj, dhe tjetra nga pala që mbështet ish kryeministrin Sali Berisha në krye të partisë. Në thelb të dyja kërkesat argumentojnë faktin se sipas tyre, zonjës Xhaçka duhet t’i hiqet mandati, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, ka përfituar, të drejta pasurore mbi pasuri shtetërore. Një kompani e zotit Gaçi, ka fituar statusin e investitorit strategjik dhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. Duke qenë se sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, aksionet apo kapitalet në një shoqëri, konsiderohen si të ishin të rregjistruara në emër të zyrtarit, edhe kur ato i përkasin personit të lidhur, (bashkëshortit/es), opozita është e mendimit se përfitimet e zotit Gaçi, konsiderohen si përfitime dhe të vetë ministres. Vetë zonja Xhaçka ka mohuar që të jetë në konflikt interesi, duke deklaruar se bashkëshorti i saj po investon në tokë private.

Nga ana tjetër, vendimi i mbrëmshëm parlamentit, vlerësohet sipas opozitës të jetë në shkelje të Kushtetutës, dhe të vetë interpretimit të Gjykatës, që përcakton se e drejta e shqyrtimit të çështjes në themel, i takon asaj. Me votat e saj, shumica, rrëzoi raportin e opozitës, duke miratuar atë të përfaqësuesve të vet, me pretendimin se mocionet e demokratëve nuk plotësojnë kriteret për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Por në interpretimin e një rasti të ngjashëm, atë të ish deputetit socialist Koço Kokëdhima, për të cilin po ashtu, u refuzua dërgimi i çështjes në Gjykatë, kjo e fundit shpjegoi se parlamentit i është “kufizuar hapësira e vlerësimit, duke ia njohur atë vetëm për verifikimin e kritereve juridiko-formale për inicimin e procesit… nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij”.

Edhe faktin që parlamenti duhet të shprehet me votë, Gjykata e shpjegon si një akt “në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese”.

Për këtë arsye, Gjykata ka saktësuar se “për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen”.

Me gjasë, nisur dhe nga precedentët e mëparshëm, Gjykata Kushtetuese, mund të rrëzojë vendimet e mbrëmshme të parlamentit, dhe ta detyrojë atë që t’ja kalojë Gjykatës çështjen e konstatimit të të pajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit për zonjën Xhaçka. Në një rast të tillë, socialistët vetëm sa do të fitonin kohë, duke marrë përsipër koston e shkeljes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese./ VOA