Manastiri i Deçanit i reagon Hajrulla Çekut: Kemi nevojë për mbrojtje nga KFOR-i për shkak të pasigurisë së popullit tonë

Manastiri i Deçanit ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, se ky institucion nuk ka nevoje për mbrojtjen 24/7 nga KFOR-i.

Manastiri në llogarinë e tyre zyrtare në Twitter kanë thënë se këto deklarata nuk janë të vërtetë dhe se kanë nevojë për mbrojtje të veçantë institucionale në mes të sjelljeve antagoniste dhe diskriminuese të autoriteteve të Kosovës

“Ministri i Kulturës së Kosovës thotë se mbrojtja e KFOR-it të Manastirit Ortodoks të Deçanit nuk është e nevojshme. ËSHTË për shkak të 4 sulmeve të armatosura të ekstremistëve shqiptarë, mbishkrimet e ISIS në muret tona, arrestimi i një grupi të armatosur shqiptar në vitin 2016 në portën tonë, mosrespektimi i ligjit dhe vendimi i gjykatës nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në reagimin e Manastirit.

Gjithashtu, manastiri në reagimin e tyre kanë thënë se ky institucion është shpeshherë i ekspozuar nga mohimi i identitetit serb, të drejtave ligjore dhe gjuhës së urrejtjes mediatike.

“Gjithashtu prania e KFOR-it është e nevojshme për shkak të paqëndrueshmërisë politike, ligjore dhe të sigurisë për qytetarët joshqiptarë të Kosovës pasi Qeveria e Kosovës sillet në këtë territor si tokë etnike shqiptare. Manastiri i Deçanit është i ekspozuar ndaj mohimit të shpeshtë të identitetit tonë, të drejtave ligjore dhe gjuhës së urrejtjes mediatike”, thuhet më tej në reagim.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, në një konferencë për media ka thënë se organizata “Europa Nostra” është e ndikuar nga Serbia dhe se vizita e tyre e fundit në Kosovë ishte e pakuptimtë.

Në një konferencë për media Çeku ka thënë se Manastiri i Deçanit është përfshirë pa të drejtë në listën e shtatë monumenteve të rrezikuara në listën e Europa Nostrës.

“Për ne kjo vizitë është e pakuptimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin pasi që iu është nënshtruar ndikimit politik të Serbisë. Në të njëjtën kohë ne e kemi parë një hipokrizi të kësaj organizate sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara”, tha Çeku.

Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Europa Nostra dhe partneri i saj Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve (EIBI) qëndroi në Kosovë javën e kaluar për një sërë vizitash me palët e interesuara, vendore dhe ndërkombëtare. Kjo vizitë u organizua, kryesisht, si vazhdim i përfshirjes së Manastirit të Deçanit (i cili u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s në vitin 2006) dhe në Listën e vitit 2021 në 7 vendet e trashëgimisë më të rrezikuar në Evropë.

Në komunikatën për media theksohet se një vit pas publikimit të kësaj Liste, arsyet kryesore për përfshirjen e këtij vendi të Trashëgimisë Botërore në Rrezik edhe në listën e 7 më të rrezikuarve të Europa Nostra kanë mbetur të vlefshme.

Europa Nostra ka radhitur tre faktorë pse manastiri u përfshi në atë listë:

Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë.

Së dyti, vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë ende nuk është zbatuar përmes regjistrimit ligjor të tokës së Manastirit, gjë që cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri me rrethinën e tij.

Së treti, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it. Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë.

Europa Nostra: Arsyet pse futëm Manastirin e Deçanit në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë janë ende të vlefshme