Kandidati i LDK-së Shkëmb Manaj. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Manaj (LDK): Do t’i rishikojmë konkurset- asnjë person s’është emëruar në pozitë të rëndësishme pa u takuar me Dejona Mihalin

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, pretendon se shkarkimet dhe emërimet që janë bërë në institucionet e pavarura gjatë Qeverisë Kurti 2, kanë qenë të ndikuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Arsyeja pse janë shkarkuar Sekretarët e përgjithshëm dhe disa kryeshefa të ndërmarrjeve publike, sipas tij, është se të njëjtit nuk i janë bindur partisë në pushtet.

“Pozitat e rëndësishme në shtet duhet të zgjedhën, të ketë mandat të përcaktuar në mënyrë që ata të kenë vendimmarrjen në dorën e tyre. Mënyra qysh ka funksionuar kjo qeveri, ne mendojmë që e ka bërë më qëllim, sepse shpesh ka ndodhë që i kanë shkarkuar Sekretarët  e përgjithshëm dhe kryeshefat, pasi që ata nuk i kanë dëgjuar të marrin vendime në favor të partisë në pushtet dhe në favor të tyre duke shkelur ligjin”- tha Manaj.

Emërimi i personave në pozitat e rëndësishme, qofshin ato ndërmarrje publike apo institucione të pavarura, sipas tij, nuk ka mundur të bëhet “pa u takuar dhe pa e marrë miratimin” e partisë në pushtet, përkatësisht të Koordinatores së Komiteteve në LVV, Dejona Mihalit.

“Asnjë person në institucion të rëndësishëm, në ndërmarrjet publike dhe në institucionet e pavarura nuk ka mundur të shkojë dhe të emërohet pa u takuar dhe pa e marrë miratimin e Dejona Mihalit”- tha Manaj.

Kur u pyet nga Visar Prebreza nga Krypometri, nëse ka fakte për një gjë të tillë, ai  tha se ka “plotë fakte”.

“Po ndërlidhem me konkursin e KEK-ut. Në momentin që ne kemi bërë Kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka dalë në publik komunikimi i Dejona Mihalit me kryeshefin (Nagip Krasniqi) se hajde ta menaxhojmë këtë çështje”, ka deklaruar Manaj.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe punësimet në kohë fushate, siç ndodhi me ato në KEK, ku kryeministri Albin Kurti ndau edhe kartelat e punës për punëtoret e rijnë të kësaj kompanie.

Derisa punësimet në KEK i quajti “politizim të skajshëm”, Manaj u zotua se LDK do të ndërtojë një standard të ri sapo të vijë në pushtet. Në kohë fushate, sipas tij, nuk do të ketë konkurse.

“Ky është politizim i skajshëm. Të gjitha këto konkurse që shpallen gjatë proceseve zgjedhore do të rishikohen”- tha ai.

Ndërsa kandidati Armend Zemaj, foli për KOSTT-in dhe ZRrE-në, të cilat i quajti si ndërmarrjet që më së shumti i kushtojnë buxhetit të Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se ajo çfarë po bëjnë KOSTT dhe ZRrE, është zhvatje “në emër të vendimeve”.

“Te KOSTT, shiheni se me çka janë duke u përballur qytetarët e Kosovës edhe bizneset nga këto vendime të paligjshme. Si ka dy ditë që u takova me bizneset, vetëm nëse harron ose neglizhon një pagesë të energjisë elektrike, vetëm kyçje për biznese ish më shumë se 35 euro, ndërsa 17 për njerëzit individualë. Kjo është zhvatje. Gjithçka kanë futur si elemente zhvatës në emër të vendimeve. Këto i ka lejuar KOSTT dhe ZRrE. Kjo do të ndërpritet”- tha Zemaj.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë television transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime”  në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

Zotimet e LDK-së: Kthim të RTK-së te publiku, reformë në administratë dhe meritokraci në institucione