Mamushë, konfiskohet një pako me 375 mijë euro

Përmes postës, një paketë me 375 mijë euro ishte nis nga Turqia për në Kosovë.

Por, kur kishte arrit në destinacionin e fundit, në Mamushë, atë e ka konfiskuar Policia e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, forcat e rendit kanë thënë se dyshohet se paratë e konfiskuara janë të falsifikuara ndërsa janë ndaluar pesë persona.

Për të zbuluar gjithë këtë ngjarje, policia në bashkëpunim me Prokurorin aplikuan masat e fshehta të hetimit.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) ka pranuar informacione nga Dogana e Kosovës për një pako të dyshuar, e cila përmes postës nga Turqia ishte dërguar për në Kosovë, saktësisht në Mamushë. Në këtë pako dyshohej se kishte ‘para’ që mund të ishin të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

“Më, 02.04.2021 rreth orës 14:30 sipas procedurave kjo pako është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishte destinuar, i cili ishte në shoqëri edhe të disa personave të tjerë. Më pastaj, policia ka reaguar dhe të gjithë personat qe janë ndërlidhur me ketë rast janë arrestuar ne flagrancë”, njofton policia.

Si provë materiale, hetuesit policorë kanë sekuestruar 375 mijë euro, bankënota nga 100 euro dhe 50 euro, si dhe 6 telefona të personave të dyshuar.