Abdylhadi Krasniç. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mamusha, Komuna me 50% të drejtorëve me shkollë të mesme, e nënkryetari me shkollë fillore

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet komunale, Abdylhadi Krasniç, tashmë kryetar i Mamushës, kishte premtuar emërimin e grave drejtoresha, mirëpo pos që ka dështuar të mbaj[ këtë premtim i njëjti ka emëruar drejtorë me shkollë të mesme.

Komuna e Mamushës ka 6 drejtori, e të gjitha udhëhiqen nga burrat, kurse kjo Komunë asnjëherë nuk ka pasur një grua drejtoreshë.

Kryetari Abdylhadi Krasniç ka emëruar nënkryetar Komune djalin e hallës së tij, i cili është me shkollë fillore.

Kryetari Krasniç ka pranuar se nënkryetarin e ka  “akraba” apo familjar, por nuk ka dhënë sqarime pse i njëjti është emëruar në këtë detyrë.

Pos kësaj 3 nga 6 drejtorët e Komunës kanë të kryer vetëm shkollën e mesme, e ata janë drejtori i Administratës së Përgjithshme (Mahmut Taç), drejtori i Shërbimeve Publike (Tarkan Mazrek) dhe drejtori i Urbanizmit (Ramadan Morina).

Lidhur me këto emërime kryetari Krasniç ka deklaruar se këto janë emërime politike dhe nuk janë të punësuar, kurse ka treguar se 2 nga 3 drejtorët kanë ndërprerë fakultetin, kurse i treti është duke studiuar.

 

I ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë” kryetari Krasniç ka thënë se nuk kishte dhënë premtime të mëdha, “se e kemi ditë kaçikun sa e kemi”, kurse i njëjti tregoi se premtimet e tij janë lidhur me ujin e pijes, arsimin, shëndetësi dhe pastërti.

Në këtë debat Abdylhadi Krasniç është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara.