Maloku: E papranueshme deklarata e ministres Haxhiu, e cila e quajti “tradhtar” prokurorin e rastit Pantiq
“Goditje të rëndë“ për sistemin e drejtësisë e ka quajtur kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se prokurori i cili është duke e hetuar rastin Pantiq është “tradhtar”.
Maloku në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se është për t’u habitur se si një zyrtar i lartë shtetëror përdor gjuhë të tillë.
‘’Ne kemi dalë me një reagim, është cenim i rëndë jo vetëm për prokurorin, por mendojmë se është goditje për sistemin tonë se çfarë gjuhe ka përdorur Haxhiu. Nuk e di si është e mundur që kaq lehtë një zyrtar i lartë shtetëror të akuzojë kështu një prokuror” – ka thënë Maloku.
I pyetur nëse është dashur që të hetohet prokurori sepse është bërë një akuzë publike që të shihet se a ka pasur tradhti, kryesuesi i KPK-së ka thënë se kjo është kompetencë e prokurorisë.
“Ajo është kompetencë e prokurorisë dhe vetëm e prokurorisë” – ka shtuar më tej Maloku.
Ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës nën dyshimet për pjesëmarrje në organizim të akteve terroriste dhe për cenim të rendit kushtetues të Kosovës.
Arrestimi i Pantiqit kishte nxitur grupe të serbëve të veriut të Kosovës të bllokonin rrugët në veri të vendit.