Mallra me afat të skaduar dhe mashtrime në zbritje të çmimeve në Ferizaj

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se inspektorët kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore, pijeve alkoolike dhe produkteve të vajit me afat të skaduar nëpër disa nga qendrat tregtare.

Sic bëhet e ditur përmes një komunikate për media, kreu i inspektoratit të kësaj komune, Ridvan Berisha ka thënë se ky kontroll është shtrirë në gjithë territorin e Ferizajt, e që me ç’rast janë konfiskuar një sasi produktesh pa afat, dhe se janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për t’i proceduar këto subjekte afariste sipas rregullatives ligjore në fuqi.

Ai apeloi tek qytetarët që të kenë kujdes në blerjen e produkteve të tilla, ku paraprakisht të verifikojnë afatin e përdorimit, pasi që sipas tij, afatet e afërta të skadimit, paraqiten si zbritje nga qendrat tregtare.

Më tej thuhet se koordinatori Berisha u shpreh që mashtrime janë hasur edhe në çmime, për të cilat theksoi vendosmërinë e institucionit që drejton që t’i procedoj sipas ligjit të gjitha këto raste.