Malishevë, tre pacientë me COVID-19 të shtrirë në Infektivë

Tre qytetarë të Malishevës të cilët kanë rezultuar të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më saktësisht në Klinikën Infektive.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Liridon Hoti, tha për KALLXO.com se gjendja e tyre është e mirë.

“Tre janë të shtrirë në QKUK në Infektivë. Kryesisht janë mirë”, tha Hoti.

Drejtori tutje tregoi se në këtë komunë deri më tani janë të regjistruar 236 raste të infektimit me coronavirus, prej tyre janë shëruar 181, ndërsa si pasojë e infektimit kanë vdekur 22 persona në Malishevë.

Në këtë komunë aktualisht janë 34 raste aktive me COVID-19.

Nga rezultatet e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëhet e ditur se sot është regjistruar një raste me COVID-19 në këtë komunë.

Në nivel vendi brenda 24 orëve janë regjistruar 76 raste të reja me SARS-CoV-2, ndërsa janë shëruar 165 persona të tjerë, dhe tre pacientë të tjerë kanë vdekur si pasoj e infektimit.

Numri total i rasteve pozitive është 14.839 raste nga 59.571 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 604 raste të vdekjes.

Kosova tash e gjashtë muaj është duke u përballuar me pandeminë COVID-19, më 13 mars është shënuar rasti i parë me coronavirus.