Malishevë, shtatë të akuzuar për projektin e kanalizimit

Shtatë persona nga Malisheva, të akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës së tyre rreth një projekti infrastrukturor në një fshat të komunës së Malishevës, dolën sot para gjykatës së Gjakovës.

Remzi Mazreku, Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi, Valdete Morina, dhe Qlirim Karaqica, po dyshohet se kanë kryer tri vepra penale gjatë realizimit të këtij projekti të kanalizimit në fshatin Balincë që sipas prokurorisë nuk u krye sipas kontratës.

Para leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, gjykatësi Mentor Bajraktari tregoi se aktakuzën e Prokurorisë e kishte kthyer në përmirësim, sepse e njëjta ishte e paqartë dhe e pakuptueshme.

Në fillim të gjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Mazreku, avokati Sylejman Klinaku kërkoi nga gjykata që procedura ndaj klientit të tij të veçohet dhe lënda të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Mirëpo, një propozim të tillë e kundërshtoi prokurori Ramiz Buzhala, duke kërkuar që të refuzohet si i pabazuar.

Ndërsa gjykatësi Mentor Bajraktari, refuzoi kërkesën e avokatit Sylejman Klinaku, sepse tha se duhet të merren pëlqimet e të gjitha palëve.

Më pas u lexua aktakuza, ku drejtori i Urbanizmit në komunën e Malishevës, Islam Vrenezi u deklarua i pafajshëm.

Bashkë me Vrenezin edhe zyrtarët tjerë: Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Valdete Morina dhe Qlirim Karaqica, u deklaruan të pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë së Gjakovës.

Edhe i akuzuari Remzi Mazreku, përgjegjës i Operatorit ekonomik N.T., “Flamuri”, nuk e pranoi akuzën që i ngrakohej.

Pas deklarimeve të të akuzuarve, gjykata caktoi datën 25 mars duke i dhënë të drejtë palëve që me shkrim të paraqesin kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Akuzat ndaj të akuzuarve janë tri veprat penale: veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Januz Krasniqi më 16 nëntor 2018, në Malishevë, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe dy të pandehurit Jakup Shurdhaj, dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e punimeve në projektin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Balincë, në raportin e pranimit teknik kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T. “Flamuri” nga Malisheva dhe se projekti në vlerë 9,870 euro i plotësonte kushtet për përdorim sado që firma, “nuk i kishte kryer punët sipas kritereve të kërkuara me kontratë”.

Në këtë rast, po akuzohet edhe drejtori i Urbanizmit në komunën e Malishevës, Islam Vranezi, i cili së bashku me Valdete Morina, në cilësinë e menaxherit të projektit të kanalizimit dyshohet se kishin shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren, janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës.

Ata kishin rekomanduar që firmës kontraktuese t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve, edhe pse punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kërkuara në kontratë.

Në bazë të këtyre veprimeve të pandehurit Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi, Valdete Morina, dyshohet se kana kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Në këtë rast përfshihen edhe veprime të personave të tjerë.

“I pandehuri Remzi Mazreku gjatë muajit tetor 2018 në Malishevë, në cilësinë e personit përgjegjës të Operatorit ekonomik N.T., “Flamuri”, në Malishevë, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, ku pasi ka fituar kontratën për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë, nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, kështu duke i shkaktuar Kontraktuesit, Komunës së Malishevës dëm material në vlerë prej 9.870,18 euro”, thuhej në aktakuzë.

Sipas këtyre veprimeve Remzi Mazreku, si përgjegjës i operatorit ekonomik N.T. “Flamuri” në Malishevë dyshohet për veprën penale të veprimtarisë së pandërgjegjshme ekonomike.

Edhe zyrtari Qlirim Karaqica, dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në Drejtorinë për Urbanizëm, në komunën e Malishevës.

Aktakuza shpjegon se “I pandehuri Qlirim Karaqica, më 12.02.2018, në cilësinë e personit zyrtar, në drejtorinë për Urbanizëm në komunën e Malishevës, ka keqpërdorur pozitën e tij duke bërë përmasën edhe parallogaritë për shpuarje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit në gjatësi 55 metra, në vlerë prej 3500 euro, edhe pse në vendin e njëjtë ka ekzistuar e njëjta shpuarje horizontale, duke i shkaktuar komunës së Malishevës dëm material rreth 3500 euro”.