Malishevë, nga 70 të infektuarit 31 janë shëruar

Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj ka njoftuar se 31 qytetarë nga kjo komunë janë shëruar nga COVID-19.

“Gjendja e pacientëve që janë në shërim është e mirë, nga 70 të infektuar po konsiderohet që 31 e kanë kaluar këtë virus, dhe janë në stabilizim e sipër. Nga rezultatet e mbrëmshmit është rritë numri i të shëruarve dhe po besojmë që kjo është faza e fundit”, ka thënë Begaj.

Begaj për KALLXO.com ka thënë se janë furnizuar mirë me mjete mbrojtëse, por ka theksuar që qytetarët të vazhdojnë ti zbatojnë vendimet.

“Kohëve të fundit na kam furnizuar më mirë, ne po i marrim të gjitha masat që të jemi në vet izolim për shkak që kjo nuk do të thotë që e kemi tejkaluar rrezikun”, ka thënë ai.

Kryetari Begaj tha se nesër shtabi emergjent do të mbajë mbledhje për të diskutuar hapat e më tutjeshëm.

“Ne nuk kemi bërë kërkesë ende, nesër do të bëjmë mbledhje të shtabit emergjent edhe shohim si do të veprojmë më tutje”, ka thënë ai.

Deri më tani në komunën e Malishevës kanë qenë të infektuar 70 persona, ndërsa në nivel të vendit janë të infektuar nga COVID-19 501 persona.