Foto: Komuna e Malishevës

Malishevë, kthehen në vendlindje eshtrat e të zhdukurit para 27 vitesh në Bosnje

27 vjet pas zhdukjes në Bosnjë më në fund janë gjetur eshtrat e Rifat Berishës nga Gurbardhi i Malishevës.

Berisha ishte zhdukur diku në Bosnjë gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni.

Eshtrat e të ndjerit kanë arritur në vendlindje.

Familjarë të Rifat Berishës, zyrtarë të Komunës së Malishevës, dhe të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj, i kanë pranuar sot eshtrat e tij në kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Sipas një komunikate të Komunës së Malishevës, nënkryetari i Komunës, Hajdin Berisha, e ka përshkruar “si një moment emocionues, gjetjen pas 27 viteve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje, por edhe moment i dhimbjes për familjarët, të cilët për 27 vite jetuan në ankth dhe vuajtje në kërkim të familjarit”.

Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit kur e ka parë prindin, kur ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij, ishte nisur për të shkuar në Slloveni, në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë luftës atje.

“Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari, për 27 vite, derisa e kemi gjetur, prandaj ju bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”, citohet të ketë thënë Driton Berisha.

Sipas nënkryetarit Hajdin Berisha, në komunën e Malishevës vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.