Ilustrim

Malishevë, e diplomuara në Histori do të punojë si mësimdhënëse e gjuhës gjermane

Nga 2 shtatori, kur nis viti i ri shkollor, në pesë shkolla të fshatrave të Malishevës lëndën e gjuhës gjermane do ta mbajnë mësimdhënës të pakualifikuar për të.

Në konkursin për mësimdhënës të Komunës së Malishevës, tre nga mësimdhënësit e pranuar nuk janë nga fusha përkatëse, për të cilën ka qenë konkursi.

Laura Zogaj është pranuar në shkollën fillore të mesme të ulët “Afrim Buçaj” në fshatin Lladroc dhe po ashtu në ShFMU” Gjergj Fishta” në Senik.

Zogaj, sipas rezultateve të konkursit të publikuara në web faqen e Komunës, ka të përfunduar studimet e nivelit Bachelor në Histori dhe aktualisht është studente e masterit, ndërsa është pranuar në dy shkollat e lartpërmendura si mësimdhënëse e gjuhës gjermane.

Po ashtu, si mësimdhënëse e gjuhës gjermane është pranuar edhe Elona Gashi, e cila ka të përfunduar studimet e nivelit Bachelor në drejtimin e gjuhës angleze.

Gashi është pranuar në ShFMU “Emin Duraku” në Dragobil dhe ShFMU” Tafil Kelmendi” në Balincë.

Në situatën e njëjtë është edhe Saranda Lezi, e cila ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor të Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze ndërsa do të jetë mësimdhënëse e gjuhës gjermane në ShFMU “Salih Bytyçi” në Shkozë.