Qyteti i Malisheves. ARKIV

Malishevë, brenda pak ditësh dy vëllezër vdesin nga COVID-19

Brenda një jave dy vëllezër nga Malisheva kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë për KALLXO.com se të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Berisha ka shtuar se ky rast ka tronditur banorët e komunës.

“Është e vërtetë, sot i dyti është varrosur. Realisht për rastin e parë, atë ditë që është varrosur ka ardhur konfirmimi që është pozitiv, ka vdekur para 4-5 ditësh. Kurse për rastin e sotëm, e kemi pasur dje ose pardje është konfirmuar me COVID-19. Kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese, por jashtëzakonisht një dhimbje të madhe e kemi për këtë rast që na ka tronditur të gjithëve”, theksoi ai.

Nënkryetari i Komunës ka treguar edhe për moshën e viktimave.

“Saktë nuk e di, i pari ka qenë 62 ose 63-vjeç, kurse i dyti 57 ose 58-vjeçar, sepse për momentin s’i kam shënimet”, tha ai për KALLXO.com.

Berisha ka thënë se viktima e dytë është trajtuar në Klinikën Intensive në Spitalin e Prizrenit.

KALLXO.com merr vesh se vëllezërit e vdekur janë Muharrem dhe Milaim Mazreku.

Ai ka folur edhe rreth gjendjes me pandeminë në këtë komunë.

“Në përgjithësi gjendjen me pandeminë e kemi të qetë. Po monitorohet mirë, i kemi dy-tri deri në katër raste në ditë. Bëjmë edhe analiza me test rapid në QKMF, për çdo ditë kryhen analizat”, ka shtuar ai.

Sipas të dhënave zyrtare, në komunën e Malishevës nga fillimi i pandemisë, me COVID-19 janë regjistruar 1,078 raste, prej tyre 983 janë shëruar, 52 kanë vdekur dhe aktivë me coronavirus janë edhe 43 persona.