Foto: Policia e Kosovës

Malishevë- arrestohen tre persona për vjedhje

Policia e Gjakovës njofton se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë.

Kjo vjedhje ka ndodhur në komunën e Malishevës.

“Me datën 10 nëntor 2019, në orën 02:15 ka pranuar informacion lidhur me një rast vjedhje të rëndë të ndodhur në një dyqan në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë”, thuhet në njoftim.

Ky rast është arritur të ndalohet nga ana e Policisë.

Personat e arrestuar për këtë rast janë: S.K. (49 vjeçar), F.P. (45 vjeçar) dhe K.H. (34 vjeçar).

“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve policorë dhe grumbullimi i informacioneve në rrugë operative, ka mundësuar që patrullat policore të vëhen në ndjekje dhe të ndalojnë automjetin me personat e dyshuar për një kohë shumë të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia dyshon se personat e arrestuar në bashkëveprim me forcë kanë depërtuar në brendinë e një dyqani dhe nga aty kanë arritur të kryejnë vjedhjen.

Policia njofton se në cilësi të provave materiale ka sekuestruar nga të dyshuarit një automjet të tipit Passat, para në vlerë 377.76 euro, 50 denarë, 2 shalle të zeza, 2 kapela të zeza, 2 palë dorëza pune, 2 kaçavida, 6 mbushje të telefonit dhe 4 telefona.

Policia tha se hetuesit policorë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin në fjalë, ndërkohë që personat e dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.