Malisheva. FOTO-Halim Kafexholli

Malisheva: Pesë persona janë ritestuar për CoVID- 19

Pesë persona në komunën e Malishevës që javë më parë janë prekur nga coronavirusi janë ritestuar sot, ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjarë në këtë komunë, Nuhi Morina.

“Pesë persona sot kanë qenë për ritestim”, konfirmoi ai për KALLXO.com.

Malisheva është ndër komunat më të prekura me coronavirus në Kosovë, por pas masave të ndërmarra tash e dy javë nga kjo komunë nuk ka asnjë të infektuar.

“Jo nuk kemi raste të reja,  rasti i fundit ka qenë para dy jave në Klinikën Infektive”, tregoi tutje Morina.

Pacienti i cili para dy javësh e kishin dërguar në Klinikën Infektive në Prishtinë, sot është dërguar në shtëpi.

“Pacientin e dërguar para dy jave, sot e kemi marrë me autoambulancë dhe e kanë liru nga Klinika Infektive”, potencoi drejtori.

Nga 73 personat e infektuar në këtë komunë, tani vetëm një është i hospitalizuar, gjithë të tjerët janë në shtëpitë e tyre ndërsa para pak javësh ka vdekur një paciente nga kjo komunë.

“Vetëm një pacient është i hospitalizuar, është nga Kijeva, të tjerët janë në vetizolim”, u shpreh ai.

Vetëm nëntë komuna në Kosovë nuk kanë asnjë rast të konfirmuar, 38 sa janë gjithsej. Ndërsa, 780 persona janë të infektuar në nivel vendi, 201 të shëruar dhe 22 të vdekur.