Malisheva nis muajin e dytë në karantinë

Komuna e Malishevës sot ka mbushur një muaj që kur është futur në karantinë.

Për shkak të numrit të madh të të infektuarve me COVID-19, territori i kësaj komune është i treti që është futur në karantinë pas Vitisë e Klinës.

Karantinimi është bërë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe për të frenuar përhapjen e kësaj sëmundjeje që është shndërruar në pandemi në gjithë botën.

Numri i të infektuarvë në Malishevë ka arritur në 69. Njëri prej tyre ka vdekur e 15 janë shëruar.

Qysh në paraqitjen e rasteve të para, Komuna e Malishevës ka formuar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës me COVID-19.

Zyrtarët e Komunës, përfshirë kryetarin Ragip Begaj,  u kanë bërë thirrje vazhdimisht qytetarëve që t’i zbatojnë këshillat e institucioneve shëndetësore, të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin pa nevojë, të pastrojnë duart dhe ta ruajne distancën sociale.

Por, kjo thirrje jo gjithherë është dëgjuar nga qytetarët.

Madje, ka pasur raste që qytetarët e kësaj komune kanë dalë edhe jashtë territorit të karantinuar.

Ditë më parë është raportuar për një rast që një qytetar i komunës së Malishevës ka infektuar qytetarë të fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit, ku kishte shkuar të shiste fidanë.

Po ashtu, Komuna e Malishevës ka aktivizuar edhe Qendrën Operative Emergjente Lokale, ku qytetarët mund të thirrin në dy numra të telefonit, të cilët janë në shërbim 24 orë në ditë.

Autoritetet komunale duke kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi kanë premtuar edhe ndihmë mjekësore e ushqimore për ata që kanë nevojë, e cila do t’u shkojë në shtëpi nga ekipet e angazhuara për këtë punë.

Nesër, territori i komunës së Malishevës hyn në muajin e dytë të karantinës.

Në Kosovë tashmë janë 377 të infektuar me COVID-19, prej tyre 63 janë shëruar dhe 8 kanë vdekur.