Malisheva

Malisheva në terr për Vitin e Ri, KEDS dhe KOSTT 'shfajësohen'

Qytetarët e Malishevës pritet të përballen me reduktime të rrymës gjatë festës së Vitit të Ri.

Ndërsa kompanitë përgjegjëse për çështje energjetike janë shfajësuar për kompetencat në lidhje me reduktimet e rrymës në këtë komunë.

Fillimisht, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se në Malishevë është e pamundur të vazhdohet me furnizim me rrymë pa ndërprerje, duke ia lënë përgjegjësinë Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).

“Fatkeqësisht, në disa vendbanime siç është Malisheva është e pamundur të vazhdohet me furnizim pa ndërprerje për shkak të kapaciteteve të kufizuara transmetive, që janë nën menaxhimin e KOSTT-it”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Në anën tjetër, KOSTT ka theksuar se reduktimet në Malishevë nuk janë të ndërlidhura me këtë operator.

“KOSTT gjithashtu njofton që sa i përket kapaciteteve të sistemit të transmetimit nuk ka fyte të ngushta në asnjë komunë andaj kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjetin e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malisheva nuk janë të ndërlidhura me KOSTT”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

KEDS dhe KOSTT sot deklaruan se me rastin e ndërrimit të viteve nuk do të ketë kufizime në furnizimin me rrymë.

Telashe me rrymë përveç Malishevës pritet të ketë edhe Ferizaji për shkak të mbingarkesës.

Që nga 22 dhjetori, qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Qeveria e Shqipërisë kishte njoftuar se do t’i japë Kosovës megavat të energjisë elektrike për datat 31 dhjetor dhe 1 janar për të mënjanuar reduktimet e rrymës, për shkak të krizës energjetike me të cilën po përballet Kosova tash e disa ditë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku ka thënë se energjia e shfrytëzuar do t’i kthehet Shqipërisë gjatë stinës së verës.

Për shkak të situatës, Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike.