Malisheva: Në mes të krizës shëndetësore dhe ankthit ekonomik

Biznese të vogla rrezikojnë të shuhen e punëtorë të mbesin pa vend pune në njërin ndër qytetet më të goditura nga coronavirusi në Kosovë.

Ndreqësi i telefonave, Liridon Hoxha, kurrë nuk e kishte imagjinuar që dyqanin e tij në qendër të qytetit të Malishevës do ta mbante mbyllur me javë të tëra. Kur kishte dëgjuar për shpërndarjen e coronavirusit nëpër botë, ai thotë që e kishte një bindje që ky virus nuk do të arrijë në Kosovë dhe aq më pak të  bëhej shkaktar i mbylljes së bizneseve në qytetin që numëron pak më shumë se 60 mijë banorë.

Hoxha e ka mbyllur biznesin e tij që nga data 13 mars, datë kjo kur ishte marrë vendim nga Qeveria e Kosovës që një pjesë e komunitetit biznesor në Kosovë ta ndalin aktivitetin e tyre derisa të kalojë kriza shëndetësore dhe sot Malisheva është Komuna e dytë në Kosovë për nga numri i të infektuarëve me gjithsej 69 raste të konfirmuara me 17 prill.

Mirëpo, vendimi i institucioneve qëndrore për izolimin e qytetit, Hoxhës dhe familjes së tij i ka shkaktuar edhe një ankth tjetër, pasi që të hyrat që 29 vjeçari gjeneron përmes rregullimit dhe shitjeve të aksesorëve për telefona mobil janë  burimi i vetëm financiar i familjes pesë anëtarëshe.

“Kjo pauzë më ka dëmtu shumë, sepse unë nuk e kam ndonjë fitim shumë të madh, jam i kënaqur me të ardhurat që i ofron kjo punë, por tash për tash po jetoj vetëm me rezerva, të cilave po ua shoh fundin”, thotë Hoxha. 

Nga biznesi që drejton Liridoni, nuk varet vetëm familja e tij, pasi që ka edhe dy punëtorë të cilët tash për tash Hoxha thotë nuk mundet t’i paguajë, dhe për këtë gjë ai ndjen keqardhje. 

“Sidomos për njërin punëtor me vjen shumë keq që nuk po kam mundësi me i ndihmu, pasi që ai varet vetëm nga puna që e bën në lokalin tim”, thotë Hoxha.

Sipas të dhënave që BIRN i siguroi nga Komuna e Malishevës, janë rreth 1,600 biznese të regjistruara në këtë Komunë, të cilat po përballen me vështirësi të mëdha pas javëve të karantinimit të kësaj Komune që nga mesi i muajit mars.

Si reagim ndaj krizës shëndetësore që po shkakton dëme në ekonominë e vendit, Qeveria e Kosovës ka miratuar një Pako Emergjente në vlerë prej 170 milionë eurove për të iu ndihmuar bizneseve dhe punëtorëve kosovarë.

Mirëpo brenda qytetit dhe jashtë tij ka shumë biznese të cilat nuk janë të regjistruar fare. Ndër to është edhe dyqani i Hoxhës, i cili nuk e ka të regjistruar biznesin e tij dhe rrjedhimisht nuk do të jetë përfitues, pasi në këtë pako nuk parashihet ndihma për bizneset që nuk janë të regjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës, ATK. 

Pakoja Emergjente parasheh që në muajin prill dhe maj të mbulojë subvencionimin e qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Mirëpo duke qenë biznes i pa deklaruar, kjo nuk do t’i hyjë në punë Liridonit, i cili thotë se i është kërkuar nga pronari i lokalit pagesa prej 250 euro sa e ka koston e qirasë.

“I kam tregu që nuk kam, dhe për këta muaj sa nuk punojmë i kam thënë që nuk mundem t’i jap pa filluar punën”, thotë Hoxha.

Ndërsa zgjidhjen për të mbijetuar derisa nuk mundet të punojë, ai e sheh përmes marrjes së ndonjë kredie në bankë. 

“E kam bashkëshorten shtatëzanë dhe ka muaji qershor pritet të lind, unë tash duhet me pasë një rezervë edhe për atë. Nëse nuk fillon puna brenda pak javëve unë duhet me e marrë një kredi”, përfundon ai. 

Liridoni nuk është i vetëm në pasigurinë për biznesin dhe punëtorët e tij në Malishevë në mes të pandemisë. 

Pluhuri i kishte mbuluar tavolinat e biliardos dhe videolojërave në lokalin e Egzon Gecajt, që mban me këtë biznes familjen e tij katër anëtarëshe.

Me t’u marrë vendimi nga Qeveria për mbylljen e shkollave, vendim për mbylljen e lokalit të tij kishte marrë edhe Gecaj, pasi që qarkullimi i tij financiar varet kryesisht nga nxënësit. Për Gecajn, kjo pranverë atij ia kujton atij verën, stinë kjo kur aktiviteti i tij biznesor pothuajse pushon fare, meqenëse nxënësit ikin në pushimet vjetore.

“Kjo pandemi ma ka pru verën ma herët, ma ka pru verën në pranverë sepse unë verës e kam kështu pa punë, dhe kur nuk ka nxënës në shkolla as unë nuk fitoj gjë”, thotë ai. 

Videolojërat dhe biliardo janë një aktivitet që ai e ushtron tash e pesë vite dhe për Gecajn ky është burimi financiar i familjes së tij, mirëpo  pandemia ia ka ndalur të ardhurat.

Ai thotë se nuk e di as vetë se edhe sa ditë do të mund t’ia dal me rezervat që ka, pasi që njëjtë sikurse Hoxha as ai nuk e ka biznesin e regjistruar.

Sipas tij në Malishevë janë shumë biznese sikur ai, që jo që nuk duan, por nuk kanë mundësi të funksionojnë me biznese të regjistruara. “Për besë nuk kam llogari me regjistru, duhet me pagu tre mujshin, apo me u pajisë me arkë fiskale, e për këtë nuk kam llogari”, thotë ai. 

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, ATK, per ta fiskalizuar biznesin në Kosovë – çmimi më i ulët i arkës fiskale është 480 euro. 

Kjo gjendje e diskualifikon Gecajn për të qenë përfitues i Pakos Emergjente të Qeverisë. Mirëpo, ai ose njëri familjar do të provojnë ta shfrytëzojnë pikën 1.15 të pakos duke u lajmëruar si i papunë, dhe pasi familja e tij nuk ka rrjedhë tjetër të të hyrave,  dhe nga kjo pako e Qeverisë ata do të provojnë të jenë përfitues i shumës prej 130 euro.

Malisheva në kohën e izolimit. FOTO-Halim Kafexholli

Sipas të dhënave nga komuna e Malishevës nga muaji prill, janë gjithsej 720 familje nën Skemën e Asistencës Sociale.

Por, për dallim nga pronari i dyqanit të Hoxhës, Gecaj është falënderues për pronarin e lokalit ku ai punon i cili e ka liruar nga barra e pagesës së qirasë për aq kohë sa zgjatë pandemia. Qiraja që ai paguan për një muaj është 200 euro. 

Me të ardhurat që ia siguron nga kjo punë, 27 vjeçari thotë që mjaftojnë që ta bindin të qëndroj në Kosovë për dallimnga shumë moshatarë që kërkojnë të dalin jashtë vendit.

Ndërsa sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Malisheva ka numër të konsiderueshëm të banorëve që jetojnë jashtë Kosovës e sidomos të koncentruar në Itali, vend ky vatër e goditjes nga coronavirusit në Evropë prej ku dyshohet që është shpërndarë infektimi me coronavirus në Malishevë.

Duke e pasur parasysh se Malishevasit që jetojnë në Itali janë goditur poashtu rëndë nga izolimi total i Italisë me javë të tëra, ekonomitë familjare në Malishevë kanë humbur njërin prej burimeve kryesore ekonomike.

Edhe zëdhënësi i Komunës Artan Paçarizi thotë që kjo gjendje do ta dëmtojë shumë Malishevën pasi nga plani i brendshëm kjo komunë sipas tij ka specifikat e veta.  “Ekonomia e Malishevës, në tërësi varet nga sektori privat”, thotë ai.

Sipas tij, pakoja emergjente nga pushteti qëndror ndihmon sado pak, mirëpo mos qarkullimi në treg, pamundësia e shitjes do t’i ketë pasojat e veta. 

E me pasoja do të mbetet edhe berberi nga Malisheva, Behxhet Hoti, i cili dyqanin në afërsi të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” ka më shumë se një muaj që e ka mbyllur si pasojë e krizës shëndetësore.

Hoti thotë që përmes profesionit të tij siguron të ardhurat kryesore që ka familja e tij, dhe kjo gjendje ka filluar ta shqetësojë për të ardhmen e afërt.

“Nëse zgjatë shumë ka me qenë vështirë për aspektin financiar jo vetëm për mua por edhe për stafin prej tre vetash që jemi”, thotë Hoti.

Ai i e ka të regjistruar biznesin dhe është i rregullt me obligimet ndaj shtetit, dhe do të jetë përfitues nga pakoja buxhetore.

Hoti mendon se kjo ndihmë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme mirëpo thotë që e ka parasysh gjendjen financiare të buxhetit publik.  “Unë kam mirëkuptim dhe jam i vetëdijshëm se çfarë shteti kemi”.

Ndërsa në komunën që menaxhohet nga Nisma Socialdemokrate thonë që përveç  lehtësirave që mund t’i bëjë në taksa apo në obligimet ndaj komunës, tjetër ndihmë nuk mund të ofrojë si pushtet lokal. 

E ardhmja e biznesit e shqetëson edhe Liridonin, i cili parasheh rënie të dukshme të punës pas pandemisë, pasi ai beson njerëzit do të kenë tjera prioritete dhe se pak kush do të investojë në aksesorë të telefonave pas kalimit të krizës shëndetësore.

“Unë po nisem prej vetës që ka me i reduktu shpenzimet, nuk ka me pasë rrjedhjen e jetës të njejtë si para pandemisë. E duke e llogaritë që unë ka me reduktu aspektin e shpenzimeve, të njejtën kanë me bo edhe njerëzit tjerë, dhe rrjedhimisht unë ka me pasë punë më pak, kjo është më se e ditur”, thotë ai 

Të njëjtin hall ka edhe Gecaj, i cili në aspektin financiar këtë vit e sheh si vit që ka shkuar huq, pasi që sipas tij kjo pandemi me gjasë do të zgjatë deri afër stinës së verës.

“Nëse verës nuk ka pandemi, nuk ka me pasë as nxënësa që unë me pasë punë. Po edhe nëse kryhet më herët, unë mendoj që kjo gjendje e ka rrënu çdo familje gati, edhe ata prindër nuk kanë më pasë me u dhanë fëmijëve të tyre para për gjëra jo ecenciale”, përfundon Gecaj.