Malisheva kërkon daljen nga karantina

Komuna e Malishevës ka kërkuar të dalë nga karantina në të cilën është për afro dy muaj.

Kjo komunë ka shfuqizuar urdhëresat shtesë lidhur  COVID-19 ndërsa në fuqi mbesin vetëm vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky vendim është marrë, sipas njoftimit, në takimin e sotëm të Shtabit Komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19 në Malishevë dhe Komitetit Emergjent. Po ashtu në këtë takim u kërkua nga të gjitha subjektet afariste, që të mos i lejojnë klientët brenda objekteve, pa pajisje mbrojtëse, maska dhe dorëza.

“Në këtë mbledhje, ishte kërkesë unanime që Ministria e Shëndetësisë ta largojë karantinën e vendosur për tërë territorin e Komunës së Malishevës, ndërsa lagjet apo shtëpitë e caktuara të mbahen në vëzhgim sipas situatës që mund të krijohet”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas njoftimit, të gjitha këto vendime dhe kërkesa erdhën, pas shqyrtimit të situatës me COVID-19, në Komunën e Malishevës, ku u vlerësua se situata është stabilizuar në të gjitha rastet e burimeve të infeksionit, ndërsa rastet e reja që eventualisht mund të shfaqen, atëherë të izolohen familjet, apo rrugët e lagjet e caktuara.

Në Malishevë janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 73 persona, nga të cilët 55 janë shëruar dhe 17 të tjerë janë drejt shërimit.

Në këtë komunë një person ka vdekur si pasojë e coronavirusit.