Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Malisheva 'godet' biznesin e vëllezërve të presidentit Thaçi

Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës.

Po ashtu, në këtë vendim, Kuvendi Komunal ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës.

Ky vendim i sotëm prek edhe biznesin e vëllezërve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ‘Geo-Mineral’.

Kjo kompani në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës është regjistruar në emër të Idriz Thaqit e Agim Thaçit.

 

 

‘Geo-Mineral’ cili tash e disa vite ushtron këtë aktivitet në njërin fshat të kësaj komunë- Astrazub.

Vendimi për pezullim është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurthyesve në afërsi të fshatrave.

Në Kosovë, aktualisht funksionojnë 112 gurthyes me pëlqime mjedisore ndërsa 25 prej tyre kanë lëndë nëpër gjykata.

Sipas një hulumtimi të Preportr, komunat në të cilat janë dhënë më së shumti licenca për gurthyes janë Malisheva (43 licenca), Klina (38 licenca), Kaçaniku dhe Lipjani me nga 35 licenca.

Ministri: Rrezikimin e jetës së banorëve të Qirezit nga gurthyesi e kam kuptuar nga mediat