Maliqi: Për Gjykatën Komerciale, KGJK u detyrua të marrë gjyqtarë nga gjykatat themelore dhe ajo e Apelit

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi, në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për administratën e sistemit të drejtësisë, ka deklaruar se për funksionalizimin e plotë të Gjykatës Komerciale duhet që pozitat të plotësohen nga pozitat aktuale që janë në gjykatat themelore dhe atë të Apelit.

Maliqi tha se për Gjykatën Komerciale, KGJK ka kërkuar 89 pozita, mirëpo i janë aprovuar vetëm 50.

“Kostoja financiare për Gjykatën Komerciale është llogaritur për 89 pozita dhe kur ka shku ligji për me u aprovu bashkë me buxhetin, janë aprovuar vetëm 50. Pavarësisht që në vlerësim të përbashkët e kanë parë që janë të domosdoshme ato pozita nuk është arritur që të aprovohen”, ka deklaruar Maliqi.

Përkundër mungesës së vazhdueshme të stafit mbështetës, Maliqi deklaroi se asnjëherë nuk u janë aprovuar në plotëni kërkesat nga Qeveria.

Është thënë shumë herë që ne dimë me bë ligje shumë të mira, por problemi është te zbatimi i tyre. Nëse dalim te ajo se sa është proporcioni i aprovimeve me kërkesat e arsyeshme dhe në planifikimet e përbashkëta në Ligjin për Gjykatën Komerciale e shohim se kërkesat e Këshillit Gjyqësor nuk janë duke u marrë parasysh dhe kjo është seriozisht për keqardhje”, tha Maliqi.

Lidhur me këtë çështje, Ruzhdi Osmani nga Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kufijve buxhetorë do të mundohet të ofrojë zgjidhje sipas mundësive.

“Është me rëndësi që Gjykata Komerciale është formuar dhe funksionalizuar, ekziston një problem sepse në Gjykatë Komerciale nuk mund të angazhohen drejtpërdrejt gjyqtarë nga jashtë por duhet të përzgjidhen gjyqtarët në kuadër të gjykatave. Në kuadër të mundësive buxhetore brenda kufijve buxhetorë ekzistues të gjenden zgjidhje aty ku ka mundësi”, ka deklaruar Osmani.

Në analizën e publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN është vënë në pah fakti se aktualisht në sistemin gjyqësor numri i gjyqtarëve është 388, ndërsa  numri i bashkëpunëtorëve profesional është 164.

Kurse në sistemin prokurorial janë 91 bashkëpunëtorë profesionalë, të cilët u shërbejnë 176 prokurorëve.

Ndonëse me Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Ligin për gjykatat është fare qartë e përcaktuar se çdo prokuror e gjyqtar për kryerjen e përgjegjësive të tyre duhet të ketë së paku nga një bashkëpunëtor profesional, në praktikë një e gjë e tillë nuk korrespondon.

Në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015, përafërsisht për një prokuror kanë punuar 2.31 persona, ndërsa në vitin 2022 për një prokuror i bie të punojnë 2.89 persona.

Pra në vend që sistemi të ketë më shumë bashkëpunëtorë sesa gjyqtarë e prokurorë, aktualisht më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve punojnë pa bashkëpunëtorë profesionalë.

Në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015 për një gjyqtar kanë punuar përafërsisht 4.2 persona, ndërsa në vitin 2021, numri është ulur në 3.8.

Mungesa e stafit administrativ në sistemin e drejtësisë është njëra nga arsyet e dështimit të sistemit.

Ndër vite, politikanë e udhëheqës të sistemit të drejtësisë janë lavduar se kanë rritur numrin e gjykatësve mirëpo të dhënat tregojnë që rritja e numrit të gjykatësve është bërë në shpërputhje me rritjen e stafit mbështetës.

Analizën e detajuar rreth menaxhimit të resurseve njerëzore në KGjK dhe KPK mund ta lexoni duke klikuar në këtë link: https://kallxo.com/gjate/pavaresia-financiare-e-cunguar-e-keshillit-gjyqesor-dhe-prokurorial-te-kosoves/