Maliqi: KGJK-së asnjëherë nuk i janë realizuar kërkesat buxhetore nga Qeveria dhe Kuvendi

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, në emisionin e “Kallxo Përnime” në debatin për administratën e sistemit të drejtësisë, ka deklaruar se ndër vite Këshillit nuk i janë aprovuar kërkesat buxhetore.

Përkundër mungesës së vazhdueshme të stafit mbështetës, Maliqi deklaroi se asnjëherë nuk u janë aprovuar në plotëni kërkesat nga Qeveria.

Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, deklaroi se aktualisht KGJK numëron staf pothuajse të njëjtë sa ka pasur në vitin 2018.

“Nëse e marrim parasysh numrin e stafit që ka qenë në vitin 2015, stafin në 2018 dhe stafin në 2021 shohim që gjendja apo numri i stafit pavarësisht pozicionit me numrin e aprovuar të vitit 2022 ne kemi ardhur në situatën e njëjtë të pozitave që i kemi pasur të lejuara në vitin 2018”, tha Maliqi.

Maliqi tha se përkundër që Ligji për gjykatat kërkon që çdo gjyqtar të ketë të paktën një bashkëpunëtor profesional, një dispozitë e tillë asnjëherë nuk është arritur të respektohet për shkak të mungesës së përkrahjes financiare.

“KGJK në aktet e ndryshme ka përcaktuar edhe qëllimin e vet objektiv që të zvogëlohet numri i stafit teknik dhe rritjes së numrit të pozitave profesionale. Nëse e shohim Ligjin për gjykatat asnjëherë nuk është arritur që të rekrutohet numri i domosdoshëm i përcaktuar me ligj për bashkëpunëtor profesional, ku Ligji e thotë se secili gjyqtar duhet ta ketë të paktën një bashkëpunëtor profesional”, ka deklaruar Maliqi.

Sipas Maliqit plotësimi i këtyre pozitave është obligim ligjor, por që asnjëherë kërkesat e KGjK-së nuk janë aprovuar nga Qeveria e as Kuvendi. E mungesën e bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit mbështetës, Maliqi e konsideroi si hendikep për punën e gjyqtarëve.

Në analizën e publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, është vënë në pah fakti se aktualisht në sistemin gjyqësor numri i gjyqtarëve është 388, ndërsa  numri  i bashkëpunëtorëve profesionalë është 164. Pra në vend që sistemi të ketë më shumë bashkëpunëtorë se sa gjyqtarë, aktualisht më shumë se gjysma e gjyqtarëve punojnë pa bashkëpunëtorë profesionalë.

Në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015 për një gjyqtar kanë punuar përafërsisht 4.2 persona, ndërsa në vitin 2021, numri është ulur në 3.8.

Mungesa e stafit administrativ në sistemin e drejtësisë është njëra nga arsyet e dështimit të sistemit.

Ndër vite, politikanë e udhëheqës të sistemit të drejtësisë janë lavduar se kanë rritur numrin e gjykatësve mirëpo të dhënat tregojnë që rritja e numrit të gjykatësve është bërë në shpërputhje me rritjen e stafit mbështetës.