Maliqaj skanon gjendjen në Teatrin Kombëtar, prioritet ngrohja e objektit

Mbi 50 mijë litra naftë llogaritet se harxhon Teatri Kombëtar i Kosovës për ngrohje gjatë një sezoni, e cila e përkthyer në euro arrin një shumë të barabartë me litrat e harxhuar, në bazë të çmimit naftës në treg.

E vetmja zgjidhje për të tejkaluar vartësinë nga nafta dhe kursimin e mijëra eurove është kyçja e objektit të TKK-së në sistemin e ngrohjes së qytetit të Prishtinës, “Termokos”.

Është pikërisht kyçja e objekti të teatrit në rrjetin e Ngrohtores së Qytetit, synimi kryesor që i kanë vënë vetës ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Feim Maliqaj, qysh në fillim të marrjes së mandati të tij, një javë më parë.

Në një bisedë për Kallxo.com, Maliqaj ka potencuar se do të angazhohet maksimalisht për të zgjidhur këtë çështje.

Drejtori Maliqaj ka thënë se nuk ka informacione me saktësi se sa litra (euro) harxhohen në muaj për ngrohjen e objektit të TKK-së,  por, sipas tij, prapë se prapë shpenzimet janë të larta.

“Jam në fazën e ekzaminimit të gjendjes, me saktësi nuk e di momentalisht sa litra-euro për arsye se furnizimi bëhet ad-hoc, dhe sipas informacioneve fillestare kam vërejtur se stafi teknik aty kujdeset për shpenzimin e arsyeshëm të karburanteve, d.m.th. ngrohja aktivizohet kur ka prova dhe shfaqje në TKK, mirëpo prapë se prapë shpenzimet janë të larta, dhe kyçja në TERMOKOS është e domosdoshme”,  ka thënë Feim Maliqaj.

Ai ka thënë se për t’ i dhënë zgjidhje këtij probleme dhe pretendimeve për një rrezik të mundshëm për shkak të gjendjes jo të mirë të rezervuarëve të naftës për ngrohje në bodrumin e TKK-së, Ministria e Kulturës ka formuar një komision, i cili do të verifikojë situatën dhe do të dalë me një raport.

“Unë e kam marr detyrën në TKK tani vonë dhe jam duke skanuar gjendjen e përgjithshme në TKK, në kuadër të kësaj do të kërkojmë një takim me përfaqësues të TERMOKOS-it, për të kërkuar qasje në ngrohjen e qytetit, pasi që ky është një problem i trashëguar dhe zgjidhja e tij do të thotë shumë për TKK-në dhe buxhetin e shtetit njëkohësisht, si dhe do të jetë edhe në interes të TERMOKOS-it në aspektin e planit të tyre të biznesit përveç obligimit si ndërmarrje publike për ofrimin e këtij shërbimi”, ka thënë Maliqaj për Kallxo.com.

Me një hapësirë prej afërsisht 2,800 metra katror objekti i TKK-së harxhon mbi 50 mijë litra naftë brenda një sezone për ngrohje. Në kushte anonimiteti punëtorë të TKK-së i kanë thënë Kallxo.com se harxhimet për ngrohje janë të larta. Bile sipas tyre, ndodhë që brenda një ore harxhohen deri në 50 litra naftë për ngrohjen e objektit.