Foto: BBC

Mali i Zi ua publikon emrat personave në vetizolim dhe atyre që dyshohen për coronavirus

Grupi Koordinues Kombëtar për sëmundjet infektive në Mal të Zi ka filluar të publikojë emrat e personave që do të duhet të jenë në vetizolim apo në karantinë.

“Duhet që secili qytetar ta dijë se cilët janë ata persona të padisiplinuar dhe që nuk i respektojnë masat dhe udhëzimet për vetizolim, dhe me lëvizjen e tyre po i rrezikojnë fqinjët apo personat e tjerë”, kanë thënë nga Qeveria malazeze, raporton RTCG.

Ky veprim është ndërmarrë me pëlqimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka dhënë aprovim që të publikohen emrat e personave që kanë marrë urdhër të qëndrojnë në vetë izolim.

Qeveria malazeze ka thënë se ky vendim është marrë pasi kanë marrë shumë njoftime që personat që duhet të ishin në vetizolim për shkak të kontaktit me persona të infektuar me coronavirus nuk po e respektojnë këtë masë, dhe po paraqesin rrezik të lartë për të gjithë popullin malazez.

Ky vendim është marrë në mënyrë unanime, me bindjen se jeta dhe shëndeti i qytetarëve është detyra kryesore, kanë thënë nga Qeveria malazeze.

Autoritet kanë bërë thirrje që qytetarët t’u dalin në ndihmë personave që janë në vetizolim.

Qeveria në web faqen e saj zyrtare ka publikuar një link, ku po publikohen emrat dhe vendbanimi i personave që kanë marrë urdhër të qëndrojnë në vetizolim.