Mali i Zi, shtohet dhuna në familje gjatë pandemisë

Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje të dukshme gjatë kohës së pandemisë me COVID-19 si pasojë e izolimit të qytetarëve nga pandemia. Organizatat që merren me trajtimin e kësaj dukurie vlerësojnë se shtimi i rasteve të dhunës është shqetësuese.

Kryetarja e OJQ-së “SOS telefoni për gra dhe fëmijë viktima të dhunës”, Hatixhe Nelaj thotë se me fillimin e pandemisë u rrit edhe dhuna në familje.

“Shoqata jonë dy muaj pas përhapjes së pandemisë me COVID-19, ka nisur të regjistrojë raste të reja të dhunës në familje. Nuk është kjo dukuri që është paraqitur vetëm në Ulqin, kjo është dukuri e shënuar në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha zonja Nelaj.

Në këtë kuadër zonja Nelaj, vë në dukje, përpjekjen e shoqatës që në partneritet me institucionet përkatëse të ndihmohen viktimat e dhunës.

“Menjëherë në strehimoren tonë në Ulqin për tre muaj janë paraqitur dy gra nga Komuna e Tivarit me katër fëmijë dhe tri gra nga Komuna e Ulqinit. Atyre u mundësohet të gjitha shërbimet si ato psikologjike, ushqimi, veshja dhe të gjitha nevojat tjera për të cilat kanë nevojë gjatë kohës që qëndrojnë në strehimore. Jemi dakorduar me shoqatat simotra në Mal të Zi që medoemos të vihet në funksion një linjë telefonike, e cila do të jetë 24 orë në shërbim të grave viktima të dhunës”, tha Nelaj.

Zonja Nelaj thekson se izolimi i detyruar, problemet ekonomike dhe sociale kanë ndikuar që rastet e raportuara të dhunës të rriten edhe më shumë.

Ajo vuri në dukje se të dhënat në Ulqin dhe në përgjithësi në Mal të Zi, rrallë pasqyrojnë shkallën e vërtetë të problemit, pasi viktimat shpesh nuk e raportojnë dhunën ose nuk e pranojnë se po abuzohen./VOA