Mali i Zi pritet t'i kthej masat anti-Covid pas rritjes së rasteve

Evropa Qendrore dhe Juglindore kanë parë një rritje të mprehtë të rasteve me COVID-19 në javët e fundit, gjersa ende nuk ka asnjë fjalë nga autoritetet nëse do të rivendosen disa ose të gjitha masat mbrojtëse që u lehtësuan para verës.

Ekspertët në të gjithë rajonin kanë thënë se niveli në rritje i infeksioneve ka të ngjarë të jetë për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë rënien e imunitetit, por edhe kthimin në sjelljet para pandemisë dhe sezonin turistik, raporton Balkan Insight.

Në anën tjetër, rritje e rasteve me COVID-19 është shënuar edhe në Mal të Zi.

Sipas të dhënave të Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi, tani ka 1,247 raste aktive me COVID-19, që është 130% më shumë se dy javë më parë.

Shumica e infeksioneve të reja janë regjistruar në qytetet bregdetare të Budvës, Kotorrit, Tivatit dhe Barit, me gjasë të lidhura me sezonin turistik veror.

“Përhapja e virusit favorizohet edhe nga masat minimale anti-epidemike në botë dhe në Mal të Zi, por edhe nga lëvizshmëria më e madhe e njerëzve gjatë verës”, tha Instituti për të përditshmen Vijesti.

Në anën tjetër, Vijesti ka raportuar se bartja e maskave mbrojtëse është gjithashtu e detyrueshme në zonat e mbyllura të aeroportit, stacioneve të trenit dhe autobusëve.

Nëse masat e reja nuk sjellin përmirësim të situatës epidemiologjike në periudhën e ardhshme, vendosja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në të gjitha hapësirat e mbyllura do të vendoset si masë e detyrueshme.

Në raportimin e këtij mediumi thuhet se deri më 12 gusht, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja, përveç atyre aktuale, janë marrë masa shtesë epidemiologjike për parandalimin e përhapjes së infeksionit me koronavirus.

Një nga masat e reja është vendosja e maskës mbrojtëse në të gjitha institucionet e administratës publike, dyqane, farmaci dhe pika karburanti.