Ministri i Brendshëm malazes Sergej Sekuloviç në një konferencë shtypi në Podgoricë. Foto: Qeveria e Malit të Zi

Mali i Zi përjashton mundësinë të ketë ndryshime në marrëveshjen kufitare me Kosovën

Mali i Zi të premten deklaroi se refuzon të bëjë ndonjë ndryshim të kufirit me Kosovën, duke theksuar se këto dy shtete nuk kanë ndonjë mosmarrëveshje kufitare që duhet zgjidhur.

“Marrëveshja kufitare nuk mund të rishikohet. Nuk mund të ketë arbitrazh sepse kjo mund të nënkuptojë mosmarrëveshje territoriale. Mali i Zi dhe Republika e Kosovës kanë konfirmuar  me marrëveshjen e përfunduar se nuk kanë çështje territoriale të diskutueshme” ka thënë Ministria e Brendshme për BIRN.

Me 7 korrik, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila u ratifikua në vitin 2018, nuk do të zbatohet. Kurti po ashtu njoftoi se Kosova do të formojë një komision të ri për Demarkacion dhe mbrojtje të kujfijve.

“Do të bëjë përpjekje që të korrigjojë çdo gjë që u bë padrejtësisht dhe gabimisht kur ajo marrëveshje u ratifikua  në vitin 2018. Do të përdori të gjithë mekanizmat e mundshëm që të përmirësoj gabimet fatale që Qeveria e kaluar ka bërë”, tha Kurti në Parlamentin e Kosovës.

Në mars të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e kufirit mes Malit të Zi, e cila e kishte vazhdimisht edhe mbështetjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe Mali i Zi kishin filluar bisedimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Demarkacionit për kufirin 79 prej kilometrash në vitin 2012, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Vjenë në shtator të vitit 2015.

Parlamenti malazez e aprovoi marrëveshjen në vitin 2016, por në Kosovë votimi ishte shtyer disa herë për shkak të mos përkrahjes nga deputetët.

Në korrik të vitit 2018 shtetet formuan një komision të përbashkët për shënjimin e kufirit. Sidoqoftë, Ministria e Brendshme e Malit të Zi tha se asnjë takim nuk ishte zhvilluar deri më tani.

“Katër vite më parë dhe më pas edhe në mars të vitit 2020, Mali i Zi dërgoi iniciativa për zbatimin e Marrëveshjes në mënyrë që kufiri të mund të shënohej. Ne besojmë se Republika e Kosovës do të kontribuojë në zbatimin e kësaj marrëveshje për hir të marrëdhënieve, fqinjësisë se mirë dhe bashkëpunimit rajonal”, tha ministria malazeze.