Gjykata e Lartë në Podgoricë. Foto kortezi e N1.

Mali i Zi padit ish-ushtarin serb të Bosnjës për vrasje dhe përdhunim

Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Slobodan Curcic akuzohet se vrau dy boshnjakë dhe përdhunoi një grua në zonën e Focës gjatë luftës në Bosnje në 1992.

Gjykata e Lartë në Podgoricë ka konfirmuar një aktakuzë që akuzon Slobodan Curcic për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Focës të Bosnjë dhe Hercegovinës në vitin 1992, tha gjykata për BIRN.

Prokuroria shtetërore e Bosnjës fillimisht lëshoi një aktakuzë në vitin 2018 duke akuzuar Curcic, si anëtar i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, për vrasjen e dy civilëve boshnjakë duke i qëlluar ata gjatë një sulmi në fshatin Hum në komunën e Focës në vitin 1992.

“Ai është akuzuar gjithashtu për pjesëmarrje, së bashku me individë të tjerë, në përdhunimin dhe abuzimin seksual të grave dhe vajzave boshnjake dhe se ka kryer personalisht përdhunimin e një personi”, tha prokuroria në atë kohë.

Duke qenë se Curcic jetonte në Mal të Zi, Prokuroria Speciale në Podgoricë pranoi ta merrte rastin nga Bosnja dhe Hercegovina dhe të lëshonte aktakuzën e saj, e cila tani është konfirmuar.