Mali i Zi - Në 24 orët e fundit zero raste të reja me COVID-19

 

Mali i Zi është shteti i fundit në Europë që regjistroi rastet e para me pandeminë e coronavirusit, më 17 mars u shfaqën raste e para të infeksionit.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj që kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 në Mal të Zi, deri më sot janë konfirmuar 319 raste, raporton RTCG.

Ndërsa deri më sot janë shëruar 123 pacientë, dhe janë shënuar  6 viktima, pra aktualisht në Mal të Zi janë 190 raste aktive me COVID-19.

Që nga data 17 prill Mali i Zi ka një rënie të madhe të rasteve të reja të shfaqura, data 16 prill ka qenë e fundit kur janë shfaqur 13 raste, ndërsa që nga ajo ditë deri me datë 23 prill janë shfaqur 2 deri në 3 raste në ditë.

Ndërsa me datë 24 prill nga 158 mostrat e testuara asnjë nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Në trajtim spitalor janë 21 pacientë, nga të cilët 2 janë në trajtim me respiratorë.

Institute te shëndetësisë në Mal të Zi po mbikëqyrin rreth 2 mijë persona si kontakte të personave të konfirmuara me COVID-19.

Kryeministri malazez Dusko Markoviq ka thënë se dyqanet, hotelet, kafenetë dhe restorantet do të fillojnë të rihapen në gjysmën e dytë të majit.

Ndërsa ditë më parë në një takim me përfaqësuesit e sektorit të turizmit, Markoviq tha se sallonet e flokëve dhe bukurisë dhe ndërmarrjet e tjera të vogla do të fillojnë të punojnë nga 4 maj.